Ventura u shkarkua nga lojtarët

“Do të ishim më mirë me Gigi-n (Buffon) në rolin e lojtarit, kapitenit dhe trajnerit. Tani jemi një anije pa komandant, në mes të stuhisë”. Ky është teksti i një mesazhi që ka qarkulluar mes futbollistëve të Italisë, të cilët kanë mbetur të befasuar për zgjedhjet e teknikut italian. Ventura është shkarkuar dhe tani po fillojnë të dalin në skenë prapaskenat e një marrëdhënie aspak të mirë, e bërë e pamundur pas humbjes së shëmtuar të pësuar kundër Spanjës, mes skuadrës dhe trajnerit.
Aktivizimi i Insigne si mesfushor, zemërimi i De Rossi-t, që nuk ka qenë dakord me zëvendësimin, duke bërtitur se duhen sulmues për të shënuar dhe jo mesfushorë për të mbrojtur rezultatin janë emblematike dhe tregojnë se grupi kishte hequr dorë nga ai trajner. Kështu, anekdota e radhës është zbuluar nga “Corriere della Sera” dhe tregon se kualifikimi në Kupën e Botës ishte i pamundur për shkak të një formacioni të çmendur dhe për shkak se trajneri kishte humbur besueshmërinë.
Nata më e errët e futbollit italian ka qenë ajo e “San Siro”-s, por lamtumira ka qenë e gjatë dhe ka filluar muaj më parë. Më mirë me Buffon në rolin e trajnerit. Një slogan që ka filluar të qarkullojë shpesh mes lojtarëve dhe që është kthyer në një lloj muri ndaj trajnerit, i cili nuk kishte më asgjë nën kontroll. Kështu, pas barazimit 0-0 që i kushtoi Italisë Kupën e Botës, ai vendosi të mos jepte dorëheqjen, në pritje të një çeku prej 800 mijë eurosh.
Pas një mbledhjeje që zgjati rreth 2 orë, Federata Italiane e Futbollit ka shkarkuar nga stoli i kombëtares Gian Piero Venturën. Eliminimi në Play-off e Botërorit nga Suedia, me Italinë që nuk u kualifikua në një Kupë Bote pas plot 60 vjetësh i dha fund aventurës së ish-trajnerit të Torinos në stolin e përfaqësues së kaltër. Nuk bëhet fjalë për dorëheqje, por për shkarkim nga detyra. Ndërkohë ka qëndruar në postin e presidentit të federatës, Carlo Tavechio, i cili nuk ka dhënë dorëheqjen. Gjasat janë që pasuesi i Venturës në stolin e Italisë të jetë Karlo Ançeloti, i cili është edhe i preferuari i tifozëve.
Pasi u largua nga stoli i Italisë, duke e lënë kombëtaren jashtë kampionatit botëror, pas 60 vitesh, Gian Piero Venturës i është ofruar një tjetër pankinë. Por këtë herë nuk bëhet fjalë për të drejtuar një tjetër skuadër, por për një pankinë druri, të tregtuar nga kompania gjigante suedeze, IKEA.
Kjo kompani ka gjetur një mënyrë mjaft interesante për të reklamuar njërin prej artikujve të saj, duke ironizuar edhe me ish-teknikun e Italisë, që humbi punën pikërisht, pasi dështoi të kualifikohej përballë Suedisë. “Për t’i kërkuar ndjesë, pankinën Venturës po ia japim ne”, shkruajnë gjigantët suedezë, në reklamën e një ndenjëseje prej druri, postuar në Twitter.

Artikulli paraprakGazeta zvicerane: Edi Rama i marrë peng, Shqipëria e tronditur nga trafiku i drogës
Artikulli tjetërMediat italiane: Ja pse nuk luajti Insigne ndaj Suedisë