Trajneri i Italisë, Ventura, si edhe lojtarët Candreva, Parolo edhe Chiellini komentuan për fitoren minimale 1-0 me Shqipërinë në “Loro Boriçi”. “Tre pikët përballë Shqipërisë ishin të rëndësishme, sepse na lejojnë të jemi kokë serie në ‘play off’. Muajin e fundit humbëm pak sigurinë, por sot u kthyem në rrugën tonë. Në pjesën e dytë dominuam në fushë, mund të kishim shënuar edhe më tepër, pavarësisht se prej disa gabimeve i dhuruam Shqipërisë raste për shënim. Ishte kënaqësi që luajtëm në një stadium të mbushur me tifozët që u sollën shumë mirë. Shqipëria po punon mirë dhe po paraqitet mirë, edhe pse u lodhën pas minutës së 70-të, ndoshta edhe për meritën tonë. I uroj mikut tim Panuçit të bëjë të njëjtën rrugë si mikut të italianëve, De Biasi. Në shortin e fazës ‘play off’ nuk kam frikë nga asnjë kundërshtar. Ndërkohë me Spanjën dua të përballem sërish në Botëror”, u shpreh Ventura.
“Vinim nga rezultate jo pozitive dhe duhej të riktheheshim pas ndeshjes me Maqedoninë. Ia arritëm. Ndeshjet zgjidhen me episode, deri në Madrid kemi luajtur mirë në këto kualifikuese. Por, tani jemi të përqendruar te ndeshjet e fazës ‘play off’”, tha Candreva.
“Ishte një ndeshje ku Shqipëria vrapoi shumë, por edhe në u përgjigjëm mirë. Ndoshta për këtë arsye ranë fizikisht në pjesën e dytë dhe ne patëm më shumë hapësira. Gjithsesi ishte një ndeshje e bukur, një stadium plot, por në një klimë futbolli, është bukur të luash në një atmosferë të tillë. Më pëlqyen edhe duartrokitjet gjatë himnit italian, kështu që komplimente”, tha Parolo.
“Ka 20 vjet që Italia nuk luan në play off, por është një ndjesi e re, për të gjithë, por duhet të përballemi me skuadra shumë fizike dhe duhet të jemi në gjendje të mirë pasi duam të shkojmë në Botërorin në Rusi. Mendoj se pas Spanjës humbëm energjinë pozitive, por sot e rigjetëm. Mendoj se ishte një ndeshje e mirë, dhe tani jemi të fokusuar te Botërori. E kisha studiuar mirë Sadikun, që është një sulmues i mirë. Jam i lumtur për klimën që gjeta këtu, duket që jemi të mirëpritur. Fanellën e ndryshova me Grezdën, pasi ishim shumë afër në përfundimin e ndeshjes”, u shpreh Chiellini.