Vera e tmerrshme e Bayern, që nga e shtuna, s’ka më justifikime!

Një verë makthi ka qenë ajo që kanë kaluar Carlo Ancelotti dhe Bayern Munich. Humbja kundër Napolit ka qenë e fundit e një serie të gjatë, në gjashtë miqësore të luajtura mes “International Champions Cup” dhe “Audi Cup”. Bavarezët kanë buzëqeshur vetëm në fitoren 3-2 ndaj Chelsea. Të tjerat kanë qenë dështime, dy prej të cilave të shkaktuara nga skuadrat italiane Milan (0-4) dhe Inter (0-2). Sigurisht që nuk mund të bëhet dramatike situata vetëm për miqësoret, por të shtunën është ndeshja e parë zyrtare, Superkupa e Gjermanisë kundër Borussia Dortmund. Neuer, Boateng dhe Robben nuk luajtën, Hummels, Lewandovski, Muller dhe Ribery e nisën ndeshjen nga stoli. Ancelotti ka një justifikim për formacionin jo të plotë, por duke nisur nga dita e shtunë ndalohen gabimet. “Do të punojmë për t’i transformuar vërshëllimat në duartrokitje. Ndaj Napoli na munguan pjesa më e madhe e titullarëve, por sezoni ende nuk ka nisur dhe kemi kohë për t’u përmirësuar”, këto kanë qenë fjalët e Ancelotti-t pas humbjes kundër Napolit, por zemërimi i tifozëve në “Allianz Arena”, nuk e ka lënë indiferent. Më 18 gusht është edhe ndeshja e parë në shtëpi kundër Bayer Leverkusen. Koha e eksperimenteve mbaroi.

Artikulli paraprakSpikat Bruno Telushi, vlerësohet lojtari i javës në Kroaci
Artikulli tjetërArsenali kërkoi talentin e Dortmundit, por mori një “jo”