Verrati nuk largohet

Marco Verrati është një ndër futbollistët më të kërkuar në merkato. Mesfushori i Kombëtares italiane në muajt e fundit është përfolur për një transferim të mundshëm te disa prej klubeve më të mëdha të Europës, duke nisur që nga Juve e deri te Bajerni, nga Reali te Barcelona, por ish- futbollisti i Peskarës me një intervistë të fundit qetëson tifozët e skuadrës së tij aktuale, PSG. “Jam mirë në Paris, nuk shikoj asnjë arsye se përse duhet të largohem. Unë punoj për të fituar sa më shumë që të jetë e mundur, ëndrra ime është ajo që të fitoj këtu për momentin”, u shpreh Verrati.
Momenti i PSG në kampionat nuk është dhe aq i mirë, pasi parizienët po bëjnë më keq se vitet e fundit, duke qëndruar pas Nisë në klasifikimin e Ligue 1. “Jemi ende në garë për të gjithë objektivat. Në futboll duhet të mendosh gjithmonë për të atshmen, kur të rikthehemi në fushë do të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe do të përpiqemi të  bëjmë maksimumin”, tha ai.
Verrati bëri një bilanc të shkurtër edhe për 2016 në aspektin personal, një vit i kushtëzuar nga dëmtimet. “Ishte një vit i vështirë për mua, por janë pikërisht vështirësitë ato që të mundësinë të rritesh si njeri. Kam qenë jashtë fushe për shumë kohë dhe futbolli për mua është gjithçka. Nuk ishte një vit shumë i bukur në aspektin personal, por si skuadër bëmë mirë, pasi fituam 4 titull”, përfundoi Verrati.
PSG dhe Lyon e mbyllën me fitore vitin 2016, duke fituar sfidat e tyre në shtëpi respektivisht ndaj Lorient dhe Angers. Në “Parc Des Prince” PSG “mllefin” e 3 javëve pa fitore ja nxori skuadrës të fundit në klasifikim Lorient, që pavarësisht se u përpoq shumë, gjithsesi në fund u mund 5-0, duke e bërë më shumë një stërvitore këtë përballje për vendasit. Parisi vuajti pak deri në gjetjen e golit, kur në të 24-ën ishte Meunier që realizoi me një goditje mjaft të bukur. Para fundit të pjesës së parë, Traore në përpjekje për të ndalur Cavanin dërgoi topin gabimisht në rrjetën e tij.
Në pjesën e dytë ishte radha e kapitenit Thiago Silva për të shënuar nga goditja e këndit, ndërsa Cavani u tregua i saktë nga pika e bardhë. Golin e fundit, por më të bukurin e shënoi Lucas që vulosi dhe rezultatin përfundimtar në 5-0.
3 pikë mori dhe Lyon që zgjidhi gjithçka në dy kufijtë e ndeshjes. Në të 9-ën ishte Lacazzette që realizoi golin e epërsisë, ndërsa në të 84-ën takimin e mbylli Fekir me golin e 2-0.

Artikulli paraprakBauza: Unë lë stolin nëse formacionin ma bën Mesi
Artikulli tjetërReal “zbulon kartat”, plan për Courtois