Verratti, lamtumirë Euro 2016, mesfushori do të operohet

Brenda pak ditësh, Kombëtarja e Italisë merr goditjen e dytë të madhe në prag të europianit. Pas Claudio Marchisios, evenimentin e Francës do ta humbasë edhe mesfushori tjetër, Marco Verrati. Lojtari i Paris Saint Germain do të operohet në 16 maj në Doha për të zgjidhur përfundimisht problemet muskulare. Lajmin e konfirmon vetë lojtari i tij në profilin e rrjetit social, Instagram. “Deri në fund shpresova që të isha pjesë e një kompeticioni të tillë kaq të rëndësishëm për të ndihmuar shokët e mi që të arrinim objektivat e vendosur, por për fat të keq nuk ia dola. Pas pak ditësh do t’i nënshtrohem ndërhyrjes kirurgjikale.
U uroj shumë fat shokëve të skuadrës që do të jetojnë një eksperiencë fantastike dhe një verë magjike ashtu si të gjithë italianët”, thekson Verrati në postimin e tij. Në këtë pikë, Conte duhet të zgjedhë mes listës së emrave ku renditen Soriano, Montolivo, De Rossi, Bernardeschi dhe Jorginho, por nuk ka lënë jashtë vëmendjes as Pirlon dhe të rinjtë Baselli e Sturaro. Momentalisht, lojtarët që e kanë të sigurt vendin në Kombëtaren e Kaltër janë Parolo, Candreva, Thiago Motta, Florenzi dhe Giaccherini.

Exit mobile version