Reali i Madridit kthen sytë nga Marco Verrati. Kërkoi të transferonte mesfushorin francez Paul Pogba, por në orët e ardhshme 23-vjeçari pritet të kryejë testet mjekësore për Manchester United. Një garë e humbur kjo nga ana e klubit “Los Blancos”, por sidoqoftë merkato nuk ka mbaruar dhe drejtuesit e skuadrës madrilene nuk kanë ndërmend të rrinë duarkryq. Mesfushori i PSG, Marco Verrati shihet si një alternativë e mirë për mesfushën e Realit të Madridit. Drejtuesit e klubit parisien kanë deklaruar se italiani është i pashitshëm, por deri në fundin e merkatos mund të regjistrohen zhvillime interesante.
Një tjetër emër është edhe ai i mesfushorit të Newcastle, Mousa Sissoko. Francezi, i cili falë paraqitjes së tij të mirë në Kampionatin Europian, zgjoi vëmendjen e klubeve të mëdha europiane. Drejtuesit e klubit anglez kërkojnë 35 milionë euro për futbollistin dhe bisedimet mund të mbyllen më shpejt nga parashikimet në rast se Reali përshpejton ritmin, pasi dhe vetë dëshira e 26-vjeçarit është të largohet nga Newcastle, pasi skuadra angleze këtë vit do të luajë në Championship. Bisedimet vazhdojnë për të dy mesfushorët dhe një gjë është e sigurt, Reali i Madridit nuk do ta mbyllë merkaton vetëm me një transferim, atë të Alvaro Moratës.