Edhe Frederik Veseli beson te një triumf i Shqipërisë të premten në mbrëmje në Stamboll ndaj Turqisë.
Mbrojtësi i Empolit në Serie B, në konferencën për shtyp të kësaj të mërkure foli me superlativa për afrimet e reja në skuadër dhe sidomos për Marash Kumbullën, ndërkohë që nënvizoi se Shqipërisë i mungon një lider në skuadër, siç ishte kapiteni Lorik Cana dikur.
Skema me tre? “Kemi lojtarë që përshtaten me skemën me 3 por mund të kalojmë edhe me 4 pa problem. Është diçka që varet nga kundërshtari dhe nuk është fiks. Mund të kalojmë edhe me 4 apo 5 mbrojtës”.
Turqia? “Ka shumë rëndësi kjo ndeshje sepse e dimë që ka mundësi të bëjmë një hap shumë para nëse fitojmë. Synojmë fitoren dhe pse jo të vazhdojmë në këtë edicion dhe të bëjmë diçka pozitive. Besoj e shpresoj të mundim Turqinë si në miqësore në Antalia. Nuk duhet të kemi presion por të bëjmë lojën tonë pasi kemi mundësi të fitojmë”.
Afrimet e reja? “Sigurisht që do të na ndihmojnë pasi kanë ardhur lojtarë me shumë kualitet dhe i kemi parë në stërvitje dhe kur kanë luajtur. Janë një shenjë me perspektivë për të ardhmen dhe kur ka lojtarë të rinj shtohet konkurrenca dhe kjo është pozitive për skuadrën”.
Rivaliteti për një vend titullari? “Konkurrenca është pozitive për mua sidomos në Kombëtare ku duhet dhënë maksimumi. Mund të sigurojnë vendin e tyre në Kombëtare pasi jemi gati të japim maksimumin. Të gjithë kanë kualitet. Unë nuk kam menduar aktivizimin por vendos trajneri. Duhet një bazë dhe duhen lojtarë që japin më shumë por e vendos trajneri se kush luan. Ne jemi gati dhe të motivuar. Atmosfera është shumë e mirë në ekip dhe të gjithë flasim me njëri-tjetrin dhe jemi të bashkuar të rinjtë me më të vjetrit. Entuziazmi nuk është siç kanë qenë para europianit ose në Europian dhe normal që tashmë bie. Atmosfera është ndryshe nga entuziazmi dhe është shumë mirë”.
Çfarë mendoni për Marash Kumbullën? “Kumbulla është shumë i mirë dhe shumë i ri. E ka treguar veten në Serinë A dhe si person është djalë i mirë e punëtor. Do të arrijë shumë lart nëse e mban këtë mentalitet. Është pozitive për Kombëtaren që një lojtar si ai, përparon aq shumë në një kampionat të atij niveli. Hysaj mungon shumë sidomos pas ndeshjes me Islandën ku edhe shënoi. Mundem të them se është lider i ekipit dhe e vuajmë mungesën e një lideri në ekip por kemi lojtarë për të mbuluar atë pozicion. Edhe unë mundem ta bëj atë pozicion por në fund vendos trajneri”.