Veseli nuk rinovon, largohet nga Lugano

Përfundon pas vetëm 1 sezoni aventura e Frederik Veselit te Lugano. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka vendosur të mos rinovojë kontratën me klubin e Superligës zvicerane dhe tashmë është një lojtar i lirë në tregun e shitblerjes së futbollistëve dhe mund të firmosë me atë skuadër që dëshiron. 23-vjeçari  ishte një titullar i padiskutueshëm te Lugano në sezonin e fundit, duke zhvilluar në total 33 ndeshje në kampionat me ekipin që në atë periudhë drejtohej nga trajneri i mirënjohur Zdenek Zeman. Megjithatë për Frederik Veselin tashmë do të nisë një epokë e re, edhe pse mbetet për t’u parë, se cila do të jetë skuadra e tij e ardhshme dhe në cilin kampionat do ta vazhdojë karrierën.
Pas eksperiencave te Manchester City, Manchester United, Ipswich Town, Bury, Port Vale dhe Lugano, 23-vjeçari duhet të gjejë një skuadër të re. Lajmin për mos rinovimin e kontratës me Veselin e ka konfirmuar vetë klubi i Luganos, ndërsa presidenti i ekipit zviceran Angelo Renzetti në një intervistë për mediat helvete ka bërë të ditur se, nuk ka mbetur i kënaqur nga sjellja e mbrojtësit të kombëtares shqiptare. Sezonin e kaluar Frederik Veseli firmosi një kontratë 1-vjeçare me opsion rinovimi për një tjetër vit me Luganon, por në fund vendosi të mos e zgjaste marrëveshjen e bashkëpunimit me klubin e Superligës zvicerane. 23-vjeçari ishte  pjesë e kombëtares kuqezi në Euro 2016-të, teksa u aktivizua për disa minuta në sfidën e Velodrome ndaj Francës.

Artikulli paraprakBaseli “blindon” Taulant Xhakën
Artikulli tjetërBayerni ekip i madh