Së fundmi në skenë për të marrë shërbimet e Frederik Veselit ka dalë skuadra turke e Trabzonsporit, por pavarësisht asaj që raportojnë mediat e këtij vendi në Itali janë të bindur se mbrojtësi i kombëtares shqiptare sezonin e ardhshëm do të jetë një futbollist i Empolit. Veseli e ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e klubit toskan dhe që 23-vjeçari të konsiderohet në kuptimin e plotë të fjalës një futbollist i Empolit mungon vetëm zyrtarizimi.
Gazeta turke “Aksam” në orët e fundit ka raportuar se Veseli pëlqehet shumë nga trajneri i Trabzonsporit, Ersun Yanal, i cili shikon te mbrojtësi i majtë shqiptar një alternativë të vlefshme për të përforcuar prapavijën e skuadrës së tij.
Gjithsesi pavarësisht interesimit të Trabzonsporit me shumë gjasa e ardhmja e ish-lojtarit të Luganos do të jetë te Empoli, pasi Veseli përpara Superligës turke preferon të luajë një kampionat shumë më të rëndësishëm siç është Seria A italiane. Me Empolin, Veseli pritet të firmosë një kontratë dyvjeçare me opsion rinovimi edhe për 1 apo dy vite të tjera.
Megjithatë mediat italiane raportojnë gjithashtu se edhe pse mund të bashkohet shumë shpejt me Empolin, skuadër tek cila pritet të transferohet me parametër zero, në sezonin e ri Frederik Veseli mund të huazohet te një skuadër e Serisë B për të patur sa më shumë hapësira në formacion. 23-vjeçari ishte pjesë e kombëtares shqiptare në Euro 2016 teksa u aktivizua për disa minuta nga trajneri Gianni de Biasi në humbjen 2-0 që kuqezinjtë pësuan ndaj Francës në Velodrome të Marseilles.