Me Nobelin e Letërsisë të caktuar njëherazi polakes Olga Tokarczuk dhe austriakut Peter Handke, mund të pohohet se ka fituar Europa Qendrore, me të gjitha kontradiktat e tij (mjafton të mendosh për polemikat lidhur me mbështetjen dhënë nacionalizmit serb nga shkrimtari austriak). Vende të vogla, që bashkë me të tjerat, nga Balltiku në Detin e Zi, anë jo vetëm një vend i shpirtit dhe i kulturës themelor për kontinentin tonë, por edhe shprehje e një mënyre të kuptuari të letërsisë paksa ndryshe nga ajo që ecën për pjesën më të madhe tonën.
Librat e saj janë tejet të veçantë dhe, pavarësisht se të shkruar mirë, privilegjojnë vështrimin filozofik: shpesh janë një lloj patchwork eseje dhe fiksioni. Për shembull, romanet e tyre nuk karakterizohen nga një skemë narrative e qartë dhe e përcaktuar: janë në fakt raste tregimesh dhe kujtimesh dukshëm konfuzë dhe deri pretekstuozë, në shërbim të një reflektimi të thellë mbi jetën, shpirtin dhe historinë.
Megjithëse e lindur shumë vite pas tragjedisë të Luftës së Dytë Botërore, Olga Tokarczuk (vitlindja 1962) është goxha e vetëdijshme lidhur me peshën e historisë për Poloninë dhe atë të një kaluare që nuk kalon: “Me ne historia ka qemë gjithmonë mizore. Pas entuziazmit të madh vinte gjithmonë kolapsi dhe nga këtu është ngulitur qëndrueshëm një nivel i caktuar frike, mungese besimi tek bota, besimi në pushtetin shpëtues e rregullave të hekurta dhe njëkohësisht tendenca për të shkelur ato që kishim vendosur vetë”.
Olga Tokarczuk i mban flokët e gjata të mbledhura bishtalec stil rasta, një fytyrë të ëmbël simpatike të dominuar nga sy të bukur e penetrues dhe një energji që i shpërthen nga të gjitha poret e lëkurës. Është vegjetarianë dhe ka një bashkëshort që ka lënë punën e tij për ta ndjekur dhe asistuar si agjent letrar dhe sekretar i saj. Është shumë e impenjuar në jetë politike e vendit të saj: është feministë militante dhe anëtare e Partia Zieloni (partia e të gjelbërve polakë). Është opozitare e qeverisë aktuale polake dhe europeiste e bindur.
Në konferencën për shtyp pas njoftimit të Nobelit, e ka nisur duke ju referuar zgjedhjeve të ardhshme politike polake, duke rekomanduar që “të shkohet të votohet dhe të votohet për demokracinë”. Disa libra të saj, si romani epik Księgi jakubowe (Librat e Jakovit), kanë shkaktuar polemika të zjarrta, jo tamam me karakter letrar. Impenjimi ambientalist, feminist dhe për një Poloni që të jetë pjesë e Europës në mënyrë koherente, sigurisht që kanë peshuar në zgjedhjen e saj nga ana e jurisë së çmimit suedez, gjithmonë e vëmendshme edhe ndaj aspekteve politikë.
Por kjo nuk mund ta spostojë në plan të dytë faktin që librat e Tokarczuk janë shumë të bukur e të rëndësishëm dhe kanë një vlerë që shkon përtej kufijve politikë dhe kulturorë të Polonisë aktuale, siç e demonstron suksesi i tyre ndërkombëtar. Përveç se ka fituar shumë çmime letrarë në vendin e saj, midis të cilëve të famshmin “Çmim Nike” (më 2008 e 2015), i janë dhënë më 2015 “Çmimi Ndërkombëtar i Urës Polako – Gjermane” (pse ka qenë jashtëzakonisht aktive në promovimin e paqes, zhvillimit demokratik dhe kuptimit reciprok midis popujve dhe vendeve të Europës) dhe, mbi të gjitha, në 2018 Man Booker International Prize.
Në formimin e Tokarczuk kanë qenë thelbësore psikologjia, raporti me natyrën dhe udhëtimet. Ka studiuar Psikologji në Universitetin e Varshavës dhe, fillimisht si vullnetare, ka bërë praktikë në një strukturë të kryeqytetit që merret me adoleshentë që kanë probleme me sjelljen, dhe më pas, si terapeute, në Breslavia e më pas në Wałbrzych. E konsideron veten “dishepulle” të Carl Gustav Jung dhe e citon psikologjinë e tij si një frymëzim për punën e saj letrare.
Pas debutimit me librin me poezi Miasta w lustrach (Qyteti në pasqyra, 1989) dh romanit Podróż ludzi księgi (Udhëtimi i njerëzve të librit, 1993), i ambientuar në Francën e shekullit XVII, Tokarczuk botoi më 1996 të mirënjohurin E. E. nga inicialet e protagonistes së re Erna Eltzner, i ambientuar në vitet ’20 në qytetin gjermano – polak Breslavia (sot Wrocław), ku vijnë nga Vjena idetë revolucionare e Sigmund Freud, qw do t’i mundësojnë Erna të përballojë problemet psiko – somatike e adoleshencës së saj deri sa të bëehet terapeute e suksesshme.
Natyra është elementi ku Tokarczuk, si shumë polakë të tjerë, ndjehet më komod. Nga viti 1998 është transferuar në një fshat të vogël afër Nowa Ruda, në Sudete, afër me kufirin polako – çek (nga ku menaxhon shtëpinë e saj botuese private Ruta). Dom dzienny, dom nocny (Shtëpi ditën, shtëpi natën, 1998), është një mozaik tregimesh, skicash dhe eseshë të lidhura me jetën e kaluar dhe të tashme në shtëpinë e fshatit ku banon.
I konsideruar libri më i vështirë i Tokarczuk, të paktëm për kë nuk njeh historinë e Europës Qendrore, ka qenë i pari që është botuar në anglisht (me përkthimin e Antonia Lloyd-Jones për Northwestern University Press në vitin 2003), duke e bërë që të fitojë një farë fame edhe jashtë vendit. Jeta në shtëpinë e fshatit është jeta e Kujtesës dhe e copëzave të saj, tashmë dukshëm të parëndësishëm: “Duket sikur kujtesa është një sirtar plot me copa letre – disa krejtësisht të padobishëm, dokumente njëpërdorimshe si fatura lavanderie, të blerjeve të çizmeve dimërore apo të një thekëseje buke, të cilës në shtëpi nuk i gjendet më gjurma.
Por ka të tjera, të ripërdorshme, që dëshmojnë jo ngjarje, por procese të tëra: libreza e vaksinave të fëmijës, karta studentore me letrën e mbushur në mes me vula për çdo semestër, diploma e pjekurisë, certifikata e pjesëmarrjes në një kurs rrobaqepësie”.
Gjithmonë në një fshat, kësaj radhe imagjinar, në zemër të Polonisë, ishte ambientuar romani Prawiek i inne czasy (Në qetësinë e kohës, 1996). Një fshat i banuar nga personazhe eksentrike dhe prototipë, i ruajtur nga 4 arkengjëj, nga perspektiva e të cilit romani tregon jetën e banorëve për një periudhë 8 dekadëshe, duke filluar nga 1914. Përgjegjësisë së qenieve njerëzore ndaj natyrës i kushtohet “romani i verdhë” Jepi qerres tënde mbi kockat e të vdekurve, 2009. Protagonistja, Janina Duszejko, është një mësuese anglishteje e moshuar dhe eksentrike në një fshat të vogël që praktikon astrologjinë.
Ajo shpjegon një seri vdekjesh misterioze në zonë me hakmarrjen e kafshëve të egra ndaj gjuetarëve. Lista e paudhësive të njerëzve ndaj kafshëve (Tokarczuk i ofron protagonistes të gjithë dijen e saj të gjerë e pedante) do ta justifikonte hipotezën e një hakmarrjeje të drejtë: “Duhet filluar nga Bibla, ku është thënë qartë se në rast se një ka vret një burrë apo një grua, ai duhet masakrua. Shën Bernardi shkishëroi një koshere bletësh që me zukatjen e tyre e bezdisnin teksa punonte.
Gjithmonë bletëve ju desh që të përgjigjeshin për vdekjen e një burri në Worms në vitin 846. Parlamenti i atij qyteti i dënoi me vdekje me mbytje. Në vitin 1394 derrat vranë dhe hëngrën një fëmijë. Dosa përgjegjëse u dënua me varje (…). Pati çështje gjyqësore jo vetëm për raste vrasjeje, por edhe për krime kundër natyrës. Kështu, në vitin 1471 në Bazel u zhvillua një proces kundër një pule që bënte vezë çuditërisht të shkëlqyeshme. U dënua me vdekje në turrë drush pasi ishte e lidhur me Djallin…”. Nga libri u bë filmi Pokot (2017) i Agnieszka Holland që ka fituar Çmimin Alfred Bauer.
Udhëtimet dhe apologjia e lëvizjes së vazhdueshme, sipas Tokarczuk, janë parasëgjithash të provokuara nga shqetësimi psikik dhe nga magjepsja pas jo të përkryerës: “Historia e udhëtimeve të mia nuk është gjë tjetër veçse historia e një sëmundjeje. Vuaj nga një sindromë që mund të gjendet lehtësisht në çdo atlas sindromash klinike dhe, siç afirmohet nga literatura e specializuar, po bëhet gjithnjë e më e shpeshtë (…) Kjo e imja quhet Sindroma nga Detoksifikimi Rezistues.
Për ta shpjeguar në mënyrë më të thjeshtë, do të thosha se bazohet mbi një rikthim kokëfortë të vetëdijes në imazhe të caktuara apo deri mbi një kërkim të ethshëm të tyre. Është një variante e Sindromës së Botës të Keqe, kohët e fundit e përshkruar shumë mirë në literaturën e neuropsikologjisë si një infeksion i veçantë i transmetuar nga mediat. Në analizë të fundit, bëhet fjalë për një diçka shumë borgjeze.
Pacienti kalon shumë orë përpara televizionit duke kërkuar me telekomandë vetëm kanalet ku transmetohen lajmet më të tmerrshme: luftëra, epidemi dhe katastrofa. Më pas, i magjepsur nga ajo që sheh, nuk arrin ta shkëpusë vështrimin. (…) Simptomat e mia manifestohen me një tërheqje ndaj gjithçkaje që është e prishur, jo e përkryer, difektoze, e shqyer.
Më interesojnë format jo të përsosura, gabimet në punët krijuese, rrethet vicioze. Ajo që do të duhej të zhvillohej, por që kushedi për çfarë motivi ka mbetur e pambaruar ose, në të kundërt, është zhvilluar shumë. Gjithçka që është jashtë rregullit, tepër e vogël ose tepër e madhe, e mbidimensionuar ose e paplotë, e përbindshme dhe e shpifur. (…) Është pikërisht në këtë drejtim që lëviz e duruar në udhëtimet e mia, duke kërkuar gabimet dhe incidentet e krijimit”.
Përveç se me terapi, sikleti tejkalohet me lëvizjen, arratinë, udhëtimin. Një prej librave në të mirë të saj, Bieguni, 2008, nis duke tematizuar pikërisht kaosin e psikikës fëminore dhe kuptimin e shtypjes që buron nga palëvizshmëria: “Jam fëmijë, jam e ulur përpara hyrjes e rrethuar nga lodra të hedhura në dysheme, kështjella kubikësh të shembur, kukulla me sy të shqyer.
Shtëpia është në gjysmëhije, ajri nëpër dhoma dora dorës ftohet dhe bëhet gjithnjë e më shumë errësirë, këtu nuk ka më asnjeri; kanë dalë të gjithë, janë zhdukur, ndjehen akoma zërat e tyre tek zbehen, trokëllima e këpucëve të tyre, jehona e hapave dhe të qeshurat në largësi. Jashtë dritares oborret janë bosh. Errësira zbret me ëmbëlsi duke mbështjellë gjithçka si vesë e zezë. Gjëja më e keqe është palëvizshmëria: e dendur dhe e dukshme në ajrin e ftohtë të muzgut dhe në dritat e dobëta e llambave me sodium, që pothuajse një metër largësi, zhyten në errësirë”.
Autorja është e bindur se “pavarësisht të gjitha rreziqeve” është gjithmonë më mirë ajo që është në lëvizje respektivisht asaj që qëndron e palëvizur; ndryshimi është gjithmonë më fisnik se stabiliteti: “Ajo që nuk lëviz është subjekt i shpërbërjes, degjenerimit dhe i katandisjes në gërmadhë, ndërsa ajo që lëviz mund të zgjasë deri përgjithmonë”. Më botën sllave, “biegunët” e titullit qenë si “benandantët” e Friuli (të studiuar nga Carlo Ginzburg në librin me të njëjtin titull të vitit 1966): një lloj sekti vagabondësh mistikë të bindur se e Keqja i sulmon njerëzit në momentin që qëndrojnë palëvizur. Shpëtimi konsistonte në lëvizjen e pandërprerë.
Pikërisht në këtë libër, të pasur me ilustrime si të tjerët, duke treguar histori udhëtimesh në një lloj rrjeti nyjet e të cilit kthehen papritmas, e trazuara Tokarczuk ngre pikëpyetje mbi kuptimin e punës dhe zbulon natyrën e vet: “Bëj mirë që tregoj ngjarje? Mos do të bëja më mirë ta bllokoja mendjen me një paramane, të tërhiqja rremat dhe të shprehesha jo nëpërmjet kontrollesh, por me thjeshtësinë e një leksioni, ku shprehje pas shprehjeje sqarohet çdo mendim i veçantë dhe të tjerë renditen njëri pas tjetrit në paragrafët e mëtejshëm?
Do të mund të përdorja citime dhe shënime në fund të faqes; me pika ose me kapituj do të mund të listoja implikimet e asaj që nënkuptoj; do ta verifikoja një hipotezë të përmendur më parë dhe në fund do të mund t’i shpalosja argumentimet e mia, njëlloj si çarçafi pas natës së parë të martesës, nën vështrimin e publikut.
Do të isha padrone e tekstit tim, do të mund të siguroja pagesën e të drejtave të autorit, por kështu po pranoj rolin e obstetres apo të gruas së një bahçevani, me maksimumi detyrën për të mbjellë dhe më pas për të luftuar, më kot, kundër barërave të këqija. Tregimet kanë një lloj inercie të tyren, që nuk mund të kontrollohet kurrë deri në fund. Kërkojnë njerëz si unë, e pasigurtë, e pavendosur, e lehtë për t’u devijuar, Naive”.
Në vitin 2014 Tokarczuk ka botuar kryeveprën e saj të trashë (plot 912 faqe) që i ka kushtuar 7 vjet kërkime dhe punë: Księgi jakubowe (Librat e Jakovit). Nëntitulli shpjegon gjithçka: Udhëtim i madh nëpërmjet 7 kufijsh, 5 gjuhësh dhe 3 besimesh të mëdha fetare, pa llogaritur të voglat. Historia e i referohet një episodi të rëndësishëm dhe kontrovers në historinë hebraike, lidhur me herezinë e Jacob Joseph Frank (i lindur Jakub Lejbowicz: 1726 – 1791). Frank e konsideronte veten si mishërimi i Mesias së vetëshpallur, mistikut dhe kabalistit hebre otoman Sabbatai Zevi (1626 – 1676).
Në vitin 1666, ndoshta pse i kërcënuar me vdekje, Zevi u konvertua në islamizëm. Për të kaluar goditjen, ndjekësit e tij më besnikë përpunuan një doktrinë sipas të cilës kjo apostasi konfirmonte tiparin e tij mesianik: ajo ishte një apostasi e nevojshme pasi Mesia duhej të shpëtonte botën nëpërmjet gabimit, duke u lëshuar me kokë brenda papastërtisë për të rilindur. Qindra ndjekës të tij e imituan, duke u konvertuan masivisht në islam, ama duke qëndruar hebrej brenda vetes. Në botën e diasporës, sidomos asaj lindore, ky konfuzion doktrinar shkaktoi një çorientim të përhapur, por që nuk e ndaloi tërheqjen pas mesianizmit.
Në shekullin e mëpasëm, Jakub Frank shpalli se ishte mishërimi i Zevi dhe i Mbretit David. Predikimi i tij refuzonte Torahun dhe konsideronte të vlefshme vetëm mësimet e Kabalës dhe ato të Zoharit, edhe pse jo në kontradiktë me doktrinën kristiane të Trinisë. Në vitin 1756, gjykata rabinike e Satanovit e e dënoi atë dhe ndjekësit e tij pse kishin dalë kundër ligjeve të moralit hebraik dhe Kongresi i Rabinëve, i mbajtur në Brody, miratoi një shkishërim për herezi.
I paraqitur si i persekutuar nga hebrejtë, Frank siguroi mbështetjen e disa ambienteve të hierarkive katolike polake dhe arriti që të pagëzohej në Leopoli më 17 shtator të 1759 dhe sërish të nesërmen, në Varshavë, me Mbretin Augustus i III si kumbar. Më tej Frank i mbylli ditët e tij nën krahun mbrojtës të Perandorisë Habsburgase dhe në kontakt të ngushtë me ambientet masonike.
I gjithë filli i mesianizmit hebraik të asaj kohe u përshkua nga një damar i fortë ezoterik, sipas të cilit bota tokësore nuk është e krijuar nga “Zoti i gjallë e i mirë”, por nga një fuqi e së Keqes, që ka burgosur shkëndijat hyjnore në burgun malinj të materies. Misioni i Mesias do të ishte pikërisht ai i çlirimit të këtyre shkëndijave hyjnore nga materia. “Frankistët” kanë pasur një rëndësi të konsiderueshme në mendimin polak edhe në shekujt në vazhdim.
Libri është i ambientuar në lindje të Polonisë, në shekullin e XVIII, në periudhën finale e Konfederatës Polako – Lituaneze (e quajtur edhe Republika e Dy Kombeve), që midis viteve 1569 dhe 1795, pa të bashkuara në një shtet sovran Poloninë dhe Lituaninë: një botë ku katolikë, hebrenj e myslimanë bashkëjetonin, edhe pse jo pa konflikte. Përkrah heretikut Frank, në roman shfaqen një seri personazhesh historike si: poetja baroke Elżbieta Drużbacka; politikania aristokratike Katarzyna Kossakowska (mbrojtëse e Frank dhe e ndjekësve të tij); benediktini Benedykt Chmielowski (1700 – 1763), autor i një prej enciklopedive të para polake (Nowe Ateny albo Akademia wszelkiej scjencji pełna, Leopoli 1754–1756) dhe poeti aventurier e polemisti fetar Antoni “Moliwda” Kossakowski.
Librat e Jakovit bën copa vizionin e idealizuar të Polonisë përpara ndarjeve. Siç e cekëm në fillim, ka qenë konsideruar një lloj “anti-Sienkiewicz” (autor i retorikut dhe të famshmit Quo Vadis dhe i patriotikut Trilogia). Për këtë është lavdëruar nga kritikë e lexues, por është sulmuar dhunshëm nga disa qarqe nacionaliste polake dhe Olga Tokarczuk është bërë objektivi i një fushate urrejtjeje në rrjet (shih Mariusz Jałoszewski, Internetowy lincz na Oldze Tokarczuk. Zabić pisarkę (Linçimi në internet i Olga Tokarczuk. Të vrasësh shkrimtaren), “Gazeta Wyborcza”, 15/10/2015).
Por pikërisht në këtë libër shfaqet qartë tipari ndoshta më i rëndësishëm i shkrimtares Tokarczuk: vështrimi saj shumë i mprehtë. Siç e ka shpjeguar vetë ajo: “Ka dy mënyra të vështruari. Me njërin vështron thjesht objektet, gjëra të dobishme për njeriun, të ndershme dhe konkret, dihet menjëherë sesi përdoren, për çfarë shërbejnë.
Pastaj kemi një vizion panoramik, më i përgjithshëm, falë të cilit shikohen lidhjet midis objekteve, rrjetet e tyre mbështetës. Gjërat pushojnë së qeni gjëra, fakti që përdoren është një çështje e dorës së dytë, është vetëm dukje. Tani janë shenja, tregojnë diçka që në fotografi nuk shfaqen, që ndodhet përtej kontureve të imazheve. Duhet të përqëndrohesh që të mund të ruash atë vështrim që në thelb është një dhuratë, një hir në kuptimin e vërtetë të fjalës”.
(nga Doppiozero)
Përgatiti
ARMIN TIRANA