Izet Haxhia, i akuzuar për vrasjen e Liderit të Lëvizjes Studentore, deputetit të PD, Azem Hajdari është vetëdorëzuar në policinë turke, me qëllim ekstradimin më pas drejt Shqipërisë.
Pak muaj më parë, gjykata turke vendosi për ekstradimin e tij për në Shqipëri, ku dhe do të përballet me akuzat e akuzat e ngritura vite më parë ndaj tij.
Izet Haxhia ndodhej në arrati pasi ishte dënuar nga gjykata shqiptare me 25 vite burg për vrasjen e Liderit të Lëvizjes Studentore, deputetit të PD, Azem Hajdari. Ai u arrestua në Turqi në vitin 2006 dhe nga ajo kohë ai jetonte në Turqi me statusin e azilantit politik.
Themeluesi i Lëvizjes Studentore dhe kryetari i parë i Partisë Demokratike, Azem Hajdari u vra më 12 shtator 1998. Eshtë një ndër ngjarjet më të rënda dhe më të bujshme të ndodhura në Shqipëri.
Azem Hajdari mbeti i vrarë nga një atentat në oborrin e selisë së Partisë Demokratike mbrëmjen e 12 shtatorit të vitit 1998. Kryetari i atëhershëm i PD-së, Sali Berisha, akuzoi qeverinë Nano dhe vrasjen e Azem Hajdarit e cilësoi politike. Partia Demokratike kishte rreth një vit që ishte në opozitë, pas humbjes në zgjedhjet e 29 qershorit 1997.
Për vrasjen e deputetit Hajdari u dënua Jaho Mulosmani, që vazhdon të vuajë dënimin. Janë akuzuar dhe vëllezërit Izet, Ismet Haxhia, njerëz që qëndronin shumë pranë kryeministrit Berisha.
Ish-truproja i kryeministrit Sali Berisha, Izet Haxhia, sipas akuzës, telefonoi Hajdarin dhe e nxori nga zyra e tij, ku dhjetë minuta më pas e ekzekutuan në pritë. Në një proces gjyqësor maratonë u cilësuan fajtorë Mulosmani, i cili u dënua përjetë, si dhe dy vëllezërit Izet e Ismet Haxhia që u dënuan përkatësisht me 25 dhe 20 vjet heqje lirie.
Atentati
Më 12 shtator 1998 Azem Hajdari vritet pabesisht para selisë së Partisë Demokratike nga drejtues të Komisariatit të Policisë të Tropojës. Por edhe pse kanë kaluar mjaft vite, vrasja e tij mbetet e ende e mistershme me shumë detaje të pazbardhura.
Sipas dosjes së akuzës, tre makina të pozicionuara në vende të ndryshme rreth selisë së Partisë Demokratike, kanë qenë gati për çdo të papritur të rastit. Pas dhënies së sinjalit nga Fatmir Haklaj, Izet Haxhia ka hyrë në selinë e PD dhe ka takuar Azem Hajdarin, duke e ftuar që të takonte një grup tropojanësh, që po e priste jashtë selisë.
Deputeti Hajdari në mirëbesim, ka dalë nga zyra e tij dhe i është drejtuar makinës. Pas tij kanë dalë dy truprokat Besim Çera e Zenel Neza. Azem Hajdari është afruar makinës nga kanë dalë fillimisht Fatmir Haklaj dhe më pas Jaho Mulosmani e Naim Çangu.
Në momentin që Hajdari është ekzekutuar, para selisë së PD-së ishte errësirë, për më tepër edhe kohë e vrenjtur e me shi. Sipas dosjes së akuzës, Hajdari dhe ekzekutorët e tij kanë shkëmbyer disa batuta. Menjëherë pas kësaj Fatmir Haklaj ka nxjerrë automatikun e ka hapur zjarr në drejtim të Hajdarit dhe truprojave të tij. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Jaho Mulosmani.
Deputeti Azem Hajdari vdes disa orë më pas nga plagët e shumta në trup. Njëkohësisht ka vdekur truproja Besim Çera, ndërsa Zenel Neza është plagosur rëndë. Plumbat e Haklajt kanë qëlluar pa dashje edhe mikun e tij Naim Çangun, i cili u dërgua disa orë më pas në spital nga Jano Mulosmani, e që nuk arriti të jetojë.
Më pas Haklaj u ka bërë thirrje bashkëpunëtorëve të tjerë që të largohen nga pozicionet e të drejtohen sërish për në Tropojë. Grupi i vrasësve ka arritur në Tropojë në orët e para të mëngjesit. Komunikata e para doli nga Ministria e Rendit në të cilën thuhej se autorët janë larguar në rrugën nacionale nga veriu. Trupat dërgohen menjëherë në Spitalin Ushtarak i cili më pas rrethohet me policë.
Ndërkohë prokurori i gatshëm i Prokurorisë së Tiranës Sokol Stojani dhe ekspertë të policisë së Tiranës mundohen të realizojnë këqyrjen e vendit të ngjarjes por shiu i dënuar që binte dhe turma e njerëzve të irrituar e ka vështirësuar këtë. Një nga ekspertët i ka mbledhur nën fshehtësi gëzhojat e dala nga arma. Janë sekuestruar një automatik kallashnikov, një pistoletë Zastava me silenciator, gjashtë gëzhoja kallashnikovi dhe tre zastave. Nga ekspertiza rezultoi se me këto armë nuk ishte bërë qitje.
Të nesërmen, me datë 13 shtator, Jaho Salihi duke folur nga zyra e tij së bashku me shefin e rendit të Bajram Currit e me përfaqësuesit e Ministrisë së Rendit, mohon pjesëmarrjen në vrasje.
Lajmi për vrasjen e Azem Hajdarit, u publikua nga të gjitha mediat kryesore në botë, nga stacionet televizive më prestigjioze të botës dhe vdekja e tij u cilësua si një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri.
Shkrimtari i mirënjohur shqiptar Ismail Kadare e konsideroi vrasjen e Azem Hajdarit si “Vrasja e Shekullit”.
Dosja “Hajdari” ka qenë një nga çështjet më të bujshme si dhe një dosje voluminoze. Vrasja e Azem Hajdarit, është cilësuar si vrasja e shekullit të ‘20. Një çështje që ka një vendim të kaluar në dy shkallët e gjykatave, nëpërmjet të cilit janë dënuar katër vetë.
Vrasja e Azem Hajdarit gjithnjë është cilësuar një vrasje politike, jo sepse ai ka qenë deputet i Shqipërisë, për disa legjislatura, jo se ka qenë njeriu që ka kontribuar më shumë për rrëzimin e komunizmit dhe sjelljen e demokracisë, duke marrë dhe emrin Lideri i Dhjetorit, por se vrasja kishte motive politike. Pavarësisht se gjatë rrugës, për shkak dhe të aleancave fluide për hir të pushtetit, akuzat për vrasje politike të Azem Hajdarit u zbehën.
Arben SHAHINI