Vetëm Konte e shpëton Interin

Interi duket sikur po bën gjithçka për të mos hyrë në Europë. Zikaltrit kanë humbur pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit dhe në sfidën e fundit, u zhyt edhe më shumë në krizë falë Pandev, një prej heronjve të pakët të tripletës zikaltër të mbetur në qarkullim.
Për situatën e ish-skuadrës ka folur Leonardo. Për brazilianin, Interi nuk është më formacioni në kërkim të identitetit, por në kërkim të futbollistëve që nuk i zë gjumi për një humbje e jo për 12 disfata sezonale. “Flas kështu, sepse më vjen keq dhe jo nga dëshira që kam për t’u rikthyer te zikaltrit”, deklaroi braziliani për mediat italiane.
Ai nuk kurseu edhe një koment mbi mundësinë e Kontes për të stërvitur Interin pas zërave se zikaltrit kanë rritur deri në 15 milionë euro sezonale ofertën e tyre: “Konte? Më duket e vështirë që ta bindin, por nëse ia dalin, do të ishte një arritje madhështore. Gjithsesi, kujdes! Për një trajner si ai i Çelsit nevojiten struktura dhe projekt solid dhe nuk e di nëse Zhang i ka gati”.
Sado dramatike të jetë situata në “Pinetinë”, kandidatë për stolin janë të shumtë. Njëri prej tyre mund të jetë Masimo Karrera, ish-ndihmës i Kontes te Juventusi dhe kampion i freskët i Rusisë me Spartakun e Moskës. Për italianin vlen e njëjta logjikë profesionaliteti si ish-kolegu i tij bardhezi:
“Si unë, ashtu edhe Konte, jemi tifozë juventinë, por jemi profesionistë, ndaj e dimë atë që na pret në rast të ndonjë oferte italiane që nuk është Juventusi. Antonio është trajneri më i mirë në qarkullim dhe në Londër do bëjnë të pamundurën për ta mbajtur. Uroj që ai të shpallet kampion në Angli”.
Ndërkohë, Arlind Ajeti do t’i japë lamtumirën Torinos në fund të këtij sezoni, për të mos u kthyer më te ky klub i Serisë A. Shkak është bërë vendimi i trajnerit Sinisha Mihajloviç, i cili ka bërë të qartë se nuk e do më futbollistin e përfaqësueses shqiptare në radhët e klubit të tij.
Mihajloviç finalizoi blerjen e brazilianit Lianko dhe duket se është i kënaqur me formën e tij, ndaj ka vendosur ta mbajë 20-vjeçarin në ekip. Njëkohësisht, edhe Kevin Bonifazi do të kthehet nga huazimi te SPAL, ndaj sipas trajnerit serb, për Ajetin nuk planifikohet të ketë më hapësira në klub.
Si rrjedhojë, i është bërë e ditur presidenti Kairo se mbrojtësi shqiptar nuk duhet mbajtur më në klub dhe bashkëpunëtorë të numrit 1 të Tornos mësohet se kanë zhvilluar një takim me përfaqësues të Ajetit. Sipas mediave italiane, në qershor pritet të finalizohet largimi i futbollistit shqiptar, që mund të bëhet për një shifër jo shumë të lartë, meqë Torino e siguroi atë me parametër zero në verën e sezonit të kaluar.

Exit mobile version