Një sipërfaqe e madhe pyjore u dogj në Krrabë, fare pranë tunelit të autostradës. Për 24 orë nuk ndërhyri askush. Një helikopter u dërgua në orët e vona të pasdites. Ishte i njëjti që po kryente fluturime gjatë gjithë ditës në afërsi të Ulzës, ku zjarret po digjnin një prej pyjeve më të dendur të zonës.
Një helikopter i vetëm që operon në të gjithë vendin. Emergjencat Civile japin me saktësi numrin e automjeteve apo të ushtarëve, por jo të helikopterëve.
“Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 98 punonjës zjarrfikës, 13 automjete zjarrfikëse, 140 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, dhjetëra vullnetarë si dhe punonjës të Pyjores, të Drejtorisë së Zonave të Mbrojtura, etj., të mbështetur dhe nga helikopterë”, thuhet në njoftimin e sotëm të Emergjencave.
Aktualisht janë 14 vatra zjarri në vend. Janë shkrumbuar më shumë se 500 hektarë. Eshtë kërkuar ndihmë nga Italia e Greqia. Kreu i Emergjencave Civile deklaroi të dielën se s’kishte ardhur asnjë helikopter nga jashtë për të ndihmuar.
LSI insiston në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe ka sulmuar çdo ditë kryeministrin për zjarret. E ka akuzuar si të papërgjegjshëm. Maqedonia e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në një zonë të saj. Sipërfaqja që po digjet atje është disa herë më e vogël se pyjet që po digjen në Tiranë, Dibër, Lezhë, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Berat, Durrës e Korçë.
Zjarrfikësit, në të shumtën e rasteve nuk arrijnë të ndërhyjnë. Terreni është i vështirë. Emergjencat Civile furnizojnë mediat me pamje të të njëjtit helikopter (me ngjyrë të kuqe) që operon sa në Veri ashtu edhe në Jug.
Situata nuk ndryshon prej ditësh. Duket një betejë e humbur. Me autoritetet, që më shumë se tek planet e reagimit, shpresojnë në ndryshimin e motit dhe rikthimin e reshjeve. Sinoptikanët parashikojnë ditë të tjera të nxehta. Qindra hektarë me pyje do të jenë djegur deri në nisjen e shirave.
Të dhënat e publikuara nga Emergjencat Civile për 24 orët e fundit.
QARKU DIBËR
Zjarri i rënë në fshatin Sllatinë, Bashkia Dibër, është izoluar plotësisht nga forcat e zjarrfikëses dhe vullnetarët. Si pasojë e zjarrit është përshkuar gjithsej nga flakët një sipërfaqe prej rreth 70 ha pyll pishe e zezë.
Vijojnë operacionet për të shuar zjarret në fshatrat Madhesh dhe Bushkash, Bashkia Mat, ku ditën e djeshme ka punuar edhe një helikopter. Zjarrfikësit, forca të pyjores dhe forca vullnetare kanë punuar për të izoluar vatrat e zjarrit. Një vatër zjarri në fshatin Bushkash është bërë tepër aktive në pyllin me dushk dhe pemë lisi me drejtim nga mali dhe jo nga banesat e fshatit.
QARKU LEZHË
Në Malin e Kishës së Shënandoit të qytetit Laç ka rënë zjarr në kurorën me pisha të larta. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me forca dhe mjete, të mbështetur edhe nga punonjës të bashkisë si dhe personel të ushtrisë, të cilët i kanë shuar vatrat e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe relativisht e madhe me shkurre dhe pisha të reja.
Zjarret nuk po kursejnë as zonat turistike. Një zjarr masiv me pyje në zonën e Ranës së Hedhun në Lezhë është përfshirë nga flakët pasditen e së martës. Raportohet se zjarri që ka përfshirë këtë zonë është i përmasave të mëdha, dhe po favorizohet edhe nga era. Ndërhyjra për neutralizimin e flakëve është shumë e vështirë për shkak të terrenit malor. Ndërkohë “Rana e Hedhun” është një zonë mjaft e populluar me turistë në këtë periudhë sezoni veror.
QARKU TIRANË
Në fshatin Mushqeta, Bashkia Tiranë, në afërsi të Tunelit të Krrabës ka rënë një zjarr në një zonë me shkurre dhe dushqe. Forcat e zjarrfikëses, me mjete, të mbështetur dhe nga forca të Ushtrisë si dhe një helikopter, kanë punuar gjithë kohën, duke lokalizuar zjarrin. Operacioni është në vijim edhe ditën e sotme.
Në fshatin Cikallesh, Bashkia Kavajë ka rënë zjarr në shkurre dhe pisha. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë me mjete, të mbështetur dhe nga forca të ushtrisë, të cilat kanë mundur të izolojnë vatrat e zjarrit.
Në Landfillin e Sharrës, Bashkia Tiranë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një tub gazi i landfillit dhe shkurre e ferra.
Në Malin e Derjes afër fshatit Shëngjergj, Bashkia Tiranë ka vijuar zjarri i rënë në shkurre dhe pisha. Zjarrfikësit, forca të pyjores dhe një helikopter kanë punuar për izolimin e vatrave, por ka qenë tepër e vështirë për shkak të terrenit. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe relativisht e madhe me shkurre dhe pisha.
QARKU ELBASAN
Në fshatin Mamel, Bashkia Elbasan ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe dushqe. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete, të mbështetur dhe nga forca të ushtrisë, të cilat kanë izoluar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 5 ha me shkurre dhe pyll dushku.
Në vendin e quajtur “Teqja e Dushkut”, bashkia Gramsh ka rënë zjarr në një sipërfaqen me shkurre dhe pisha. Zjarri ka marrë përmasa e përhapje deri në malin e Konjas dhe Lukovës në kufi me Stravaj të Bashkisë Librazhd. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me forcë dhe mjete, të mbështetur dhe nga vullnetarë për të izoluar zjarrin. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe relativisht e madhe me shkurre dhe pisha.
QARKU FIER
Në fshatin Visokë, Bashkia Mallakastër ka rënë zjarr në shkurre dhe ullishte. Zjarrfikësit janë ndërhyrë me mjete të mbështetur dhe nga personel i Bashkisë, dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë u dogjën rreth 6 ha me shkurre dhe rreth 200 rrënjë ullinj të rinj e të vjetër.
Në fshatin Rromës, Bashkia Mallakastër ka rënë zjarr në shkurre dhe ullishte. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete të mbështetur dhe nga personel i Bashkisë, dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 10 ha me shkurre dhe ullishte.
QARKU GJIROKASTËR
Në fshatin Turan, Bashkia Tepelenë ka rënë zjarr në shkurre, ullishte dhe pemë frutore, që rrezikonte disa banesa. Zjarri është përhapur në drejtim të Malit të Veliqotit në sipërfaqe me shkurre dhe kullota, ku ndodhej 1 stallë bagëtish. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete, të mbështetuar nga forca të ushtrisë të cilat kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit në fshatin Turan u dogjën shkurre, rreth 200 rrënjë ullinj të rinj, 300 pemë frutore dhe 1 stallë bagëtish, bazë materiale për bagëtinë, ndërsa në fshatin Veliqot u dogj rreth 5 ha sipërfaqe me shkurre dhe kullota.
Në fshatin Sopik, Bashkia Dropull ka rënë zjarr në shkurre dhe kullota. Banorët e fshatit janë angazhuar për izolimin dhe monitorimin e vatrave të zjarrit, të cilat nuk përbëjnë rrezik.
QARKU BERAT
Te Parku i Bogovës, Bashkia Skrapar, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme. Zjarrfikësit nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shkak të terrenit të thyer malor. Sot do të dërgohet 1 helikopter për të shuar vatrat e zjarrit.
QARKU DURRËS
Në fshatin Zgërdhesh, Bashkia Krujë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me ullinj. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete, të cilët kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 200 rrënjë ullinj.
QARKU KORÇË
Në kurorën e qytetit Pogradec ka rënë zjarr në shkurre dhe pyllin me gështenja. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete, të mbështetur edhe nga punonjës të Agjencisë së Administrimit të Zonave të Mbrojtura, punonjës të pyjores duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.2 ha me shkurre dhe pyll gështenje.
Flakët gjunjëzojnë edhe fshatrat e Kavajës
Flakët që vijojnë prej dy ditësh në fshatin Cikallesh të njësisë administrative Helmes, kanë djegur deri tani 70 ha pisha e shkurre dhe 80 rrënjë ullinj. Terreni i thyer malor ka kërkuar edhe ndërhyrjen nga ajri të kompanisë se helikopterëve Viva, e cila po punon për izolimin e flakëve të zjarrit. Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja, në një prononcim telefonik për “Ora News” tha se po bëhet ndërhyrje nga ajri, pasi është e pamundur ndërhyrja nga toka e zjarrfikësve sepse zona është e thellë. “Ka mëse një orë që ka ardhur helikopteri. Njëzet forca xheniere që po punojnë për të shuar flakët, zjarrfikësit në detyrë dhe jemi në rrugë të mbarë për ta vënë nën kontroll”. Kryetari i Bashkisë së Kavajës thotë se mjetet zjarrfikëse e kanë pasur të pamundur të ndërhyjnë, ndërsa kanë ndihmuar banorët për të izoluar flakët. “Sot kanë ardhur mjetet nga ajri dhe gjithë ditën po mundohen të shuajnë flakët dhe na informojnë se së shpejti do vihet nën kontroll. Nga informacioni që kam brenda ditës së sotme do të shuhen flakët”, tha Sakja në një prononcim për mediat.