Vetëm spektakle për diasporën!

Nga Zef Ndreka

Edhe për një vit, u lanë duart me atë të ashtuquajturën diaspora. Samitet e përvitshme tashmë janë kthyer në tubime e spektakle vetëm për qëllime politike. Këtë e tregoi edhe Samiti i fundit pak ditë më parë, organizuar në Pallatin e Kongreseve dy ditë më rradhë.
Ndonëse në realitet mungoi realisht diaspora, mjetet e komunikimit e amplifikuan si një Samit madhështor. Më shumë kishte deputetë, qeveritarë, administratë të futur në rrjesht per spektaklin e radhës.
Si shkoi dhe çfarë u diskutua në atë Samit u pa e u dëgjua live. Por çfarë arriti si finale?!
Nuk mund të themi asgjë! Sepse, për shqiptarët e coptuar dhe të vuajtur, më mirë kjo se asgjëja.
Sidoqoftë, qeveria dhe Edi Rama vazhduan të bëjnë vetëm politikë, bashkë me Abazoviçin e anës tjetër të shqiptarisë.
Diskutimi kryesor, duhej të ishte ndihma reale e strukturave të qeverive për integrimin e emigrantëve që e kanë lënë vendin por që nuk e kanë braktisur atë. Por si në shenjë “hakmarrje” ndaj tyre, i është hequr e drejta themelore kushtetuese siç është e drejta për të votuar kudo që të jetë, kudo që jeton.
Kur hiqen ose nuk krijohen mundësitë për këtë, që është alfa e çdo detyrimi dhe e drejte, për çfarë tjetër mund të presin emigrantet nga shteti i tyre, në rastin konkret Shqipëria?!
Ndryshe ndodh me shtetin e Kosovës. Edhe pse shtet i ri dhe me potenciale me të vogla se Shqipëria mëmë, shqiptarët e Kosovës votojnë kudo ndodhën, në Zvicër, në Gjermani etj.
Nuk është harresë, por është përzgjedhje e linjes së përbashkët politike në 32-vite të klasës politike të Shqipërisë.
Emigrantet, prej tre dekadash janë lënë në mëshiren e fatit. Fillimet për çdo pjestar të diaspores janë tejet të vështira dhe përbëjnë një histori me vete. Integrimi kalon përmes vështirësive e përpjekjeve për mbijetesë. Por edhe mundësitë që ofrohet më pas janë më të mëdha se ne atdhe.
Duke mos ditur saktësisht numrin e emigranteve të shpërndarë anembanë botës, sigurisht që ndihma e shtetit mëmë shqiptar për emigrantët ka qënë si e njerkës. Ose nga mos dija, ose më keq nga mos dëshira!
Diasporen bëjnë sikur e duan. Në fakt ajo nuk është e përfshirë aspak deri më sot me atdheun. Madje është e përjashtuar si pjesëmarrëse e jetës politike e publike, megjithëse në total janë shumicë absolute në vota.
Nga të rregjistruarit, vetëm në Europë e Amerikë janë mbi 1.5 milionë votues, dhe e konvertuar në frymë, janë më shumë se 50% e popullatës së rregjistruar.
Çdo të thotë kjo?
Mbetët një pyetje retorike për të gjithë, veçanërisht për përsonat që pretendojnë të merren me politikë. Por që deri më sot, nuk kanë artikuluar asnjë ide apo imazh të qartë për politikën e ardhshme për këtë problem.
Politika e derisotme dhe politikëbërësit kanë harruar apo nuk e dijne se diaspora është atdheu i shqiptarëve jashtë kufijve real të Shqipërisë. Ndaj i ka penguar i pengon të integrohen në Shqipëri dhe në kufijt e saj etnik.
Ndryshe nga politika, diaspora vuan për atdheun, vuan nga dëshira për integrimit e saj në çdo fushë të tij.
Ndarja si më thikë e trajtimit të diaspores si miq të dashur “që kanë vetëm mall” për Shqipërinë, është dashakeqëse dhe thjeshtë një spektakël pa bereqet.
Diaspora, i ka zgjidhur dhe do i zgjidhë edhe vetëm “hallet” e saj. Psh, në Gjermani vetë emigrantet kanë ngritur Shoqata të ndryshme të mbështetur vullnetarisht nga bisnesmenët dhe kanë ndërtuar qëndra kulturore e historike, shkolla shqipe, etj.
Kanë blerë librat e gjuhës, historisë, kanë marrë me qera mjediset dhe i kanë konstruktuar për klasa, kanë siguruar fonde për shkollën, për mesuesit, për aktivitete kulturore, për veshjet me kostumet kombëtare etj. Pra, nevoja dhe dashuria për të ruajtur e kultivuar ndër breza gjuhën, kulturën, zakonet, traditat etj larg atdheut i vuri në lëvizje dhe emigrantet e arritën.
Kështu kanë vepruar në shumë qytete te tjera të Gjermanisë ku ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh. Po ashtu në Itali dhe në Greqi.
Në fakt, këto duhen mbuluar me fonde nga shtetet mëmë, si nga Kosova dhe Shqipëria. Ku edhe në këtë drejtim, qeveria e Kosovës është shumë hapa para asaj të Tiranës, e cila nuk i ndahet spektakleve pa fund edhe me mergimtarët…

Exit mobile version