Vetëvrasja e nënës së 4 fëmijëve, prokuroria e Durrësit: Burri ushtronte dhunë, keqtrajtim sistematik

Prokuroria e Durrësit ka reaguar lidhur me hetimet e deritanishme për vetëvrasjen e 41-vjeçares Bedrie Loka. Sipas Prokurorirës, nga deklarimet e marra familjarëve të të ndjerës, nga kqyrja e telefonave celularë si dhe veprimeve të tjera hetimore ka dyshime të bazuara në prova se i ndaluari ushtronte dhunë fizike dhe psikike ndaj të ndjerës, keqtrajtim i cili ka qenë sistematik dhe që dyshohet të kenë cuar të ndjerën në vetvrasje.

Njoftimi i plotë:

Sipas prokurorisë më datë 05.01.2024, është regjistruar procedimin penal nr. 26, të vitit 2024 për veprën penale të “Shkaktimit të vetëvrasjes” parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, pasi më datë 02.01.2024, në Sallën Operative të Stacionit të Policisë Manzë, Durrës, ka mbërritur njoftimi se shtetësja B. L., ka konsumuar lëndë të dyshuar fotoksinë në banesën e saj dhe është dërguar me urgjencë nga familjarët e saj fillimisht në Spitalin Rajonal Durrës e më pas në Qendrën Spitalore Tiranë”.

Me marrjen dijeni për sa më sipër, është realizuar këqyrja e banesës së familjes ku jetonte e ndjera, ku “në katin e parë të banesës janë gjetur një shishe plastike me ujë dhe disa kapsula me tub cilindrik të dyshuar fotoksinë, të cilat dyshohet se i ka konsumuar kjo shtetase. Pavarësisht faktit se gjendej e shtruar pranë Qëndrës Spitalore Universitare (QSU) “Nënë Tereza” Tiranë dhe nën kujdesin e mjekëve, më datë 03.01.2024, shtetësja B.L. ndërroi jetë si pasojë e komplikacioneve shëndetësore.

Menjëherë më pas, ky material hetimor është regjistruar si procedim penal dhe nën drejtimin e prokurorisë është bërë e mundur kryerja e veprimeve hetimore nga policia gjyqësore mbi bazën e të cilave u krye ndalimi i të dyshuarit Xh.L., si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “shkaktimi i vetëvrasjes”, kryer në dëm të shtetases B. L., parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer nëpërmjet mbajtjes së armëve në banesë, parashikuar nga neni 278/4 i Kodit Penal, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer nëpërmjet mbajtjes së municioneve luftarake, parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal;

Nga deklarimet e marra familjarëve të të ndjerës, nga kqyrja e telefonave celularë si dhe veprimeve të tjera hetimore ka dyshime të bazuara në prova se i ndaluari ushtronte dhunë fizike dhe psikike ndaj të ndjerës, keqtrajtim i cili ka qenë sistematik dhe që dyshohet të kenë cuar të ndjerën në vetvrasje.

Gjithashtu, bazuar në këtë dinamikë të evidentimit të faktit penal të ndodhur, më datë 06.01.2024, është kqyrur banesa e familjes Loka, ku rezultoi se “në kotecin e pulave në anën jugore të banesës … gjendet e mbështjellë me peshqir një armë zjarri automatike “PPS”, me krehër, pa fishek, pjesët e lëvizshme të rregullta e me gjilpërë të rregullt, me numër arme “89-0579”, si dhe “në këtë vend janë gjetur 114 copë fishekë, model ’54, kalibër 7.62mm dhe 4 katër fishekë model ’56, kalibër 7.62mm”, të cilat, pasi u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, u dërguan pranë Institutit të Policisë Shkencore Tiranë për t’ju nënshtruar ekzaminimit teknik balistik.

Për sa më sipër nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës është kërkuar të vleftësohet si i ligjshëm ndalimi i këtij shtetasi dhe të caktohet ndaj tij masa e sigurimit personal “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

Lidhur me kallëzimin penal të të ndjerës B. L.,rezulton të jetë regjistruar procedim penal për veprën penale të “Falsifikimit kompjuterik” parashikuar nga neni 186/a i Kodit Penal dhe hetimet për këtë procedim vazhdojnë.

Exit mobile version