Para pak ditësh, Artan Lame, drejtori i ALUZNI-t, agjencisë që merret me legalizimet, pohoi: “qeveria këto ditë, … do të bëjë krehjen e vendimmarrjeve abuzive përgjatë gjithë vijës bregdetare, për ta çliruar atë nga ngërçi pronësor. Këtij procesi ligjvënës, do t’i nënshtrohen rreth 30 mijë parcela përgjatë gjithë bregdetit shqiptar”.
Qëllimi i qeverisë, sipas Lames, është shtetëzimi i të gjitha pronave në bregdet, të cilat janë përfituar në mënyrë të paligjshme dhe më pas përdorimi i tyre nga shteti për kompesim ndaj ish-pronarëve apo për zhvillimin e turizmit.
Në emër të qeverisë, Lame u shpreh se, “i bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë […] të tregohen të kujdeshshëm, kur ju duhet të blejnë toka në zonën bregdetare, prona apo sipërfaqe toke me prejardhje të dyshimtë, apo që mund të duken si me çmime avantazhuese. Përpara blerjes, interesohuni pranë zyrave urbanistike nëpër bashki, nëse në këto zona parashikohen plane zhvillimi apo jo”.
Prej 25 vitesh, çështja e pronësisë së tokës në Shqipëri nuk po gjen zgjidhje. Në fillim, keqzbatimi i Ligjit 7501 dhe më pas të gjitha ndërhyrjet e kryera, si në nivel ligjor edhe të zbatimit të ligjit në Gjykata dhe Komisionet e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave krijuan një situatë të ngatarruar, e cila sot duket se është e pazgjidhshme.
Sigurisht, të gjithë dëshirojnë ta zgjidhin siç duhet problemin. Por çdo zgjidhje e propozuar tani — pas 25 viteve ku kanë mbizotëruar dokumentat falso, seancat gjyqësore “të rregulluara”, ligjeve në kundërshti me njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha me investime të kryera mbi këto toka, shpesh në mirëbesim — duket e destinuar për të krijuar më shumë probleme dhe padrejtësi se sa për ta zgjidhur këtë problem.
Tani, qeveria pretendon ta zgjidhë problemin me një veting mbi dokumentat e pronësisë, që me siguri do të kthehet në një rast të mirë për pasurimin e avokatëve, topografëve, gjyqtarëve, falsifikatorëve, ndërmjetësve e kështu me radhë, pikërisht në momentin që një veting tjetër ka bllokuar funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend.
Për më tepër, apelimet apo shqyrtimet e mundshme në gjykatë, do të minojnë zhvillimin normal të procesit të verifikimit. Për më tepër nuk do të ketë drejtësi për rastet, kur prona është rishitur më shumë se një herë, apo kur është ndërtuar mbi këtë pronë.
Kjo temë nuk është gjë e re, në fakt një nga pikat e pakta të qarta dhe të pandryshuara të Kodit Civil të vitit 1994 parashikon se në rast të blerjes së pronës nga një palë e tretë në mirëbesim, “Gjykata mund të vendosë që çdo gjë që ka dhënë kjo palë t’i kthehet kësaj dhe kur nuk është e mundur kthimi i po kësaj gjëje, i paguhet vlefta e saj”.
Ky është një parim i vështirë për t’u zbatuar në mënyrë korrekte (çfarë shërben si provë mirëbesimi?), por që është përfshirë gati në të gjitha legjislacionet e botës, sepse një prej qëllimeve kryesore të një Kodi Civil është të garantojë zhvillimin e mirë të punëve ekonomike, qoftë edhe në periudhën afatgjatë.
Në Shqipëri ky koncept duket se nuk gjen shumë hapësira dhe rishikimi i vazhdueshëm i të drejtave të pronësisë ka çuar në pengimin e investimeve në turizëm dhe prona të paluajtshme. Kjo vërtetohet edhe nga deklarata e zotit Lame, e cila ka për qëllim ndalimin e shumë veprimeve, deri në përfundimin e procesit të rivlerësimit të dokumentave të pronësisë.
Shpërthimi, kohët e fundit, i PPP-ve në sektorin e pronave të paluajtshme dhe të turizmit paraqet një tregues me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Një operacion si ai që paralajmëron Lame mund të shërbejë vetëm për të rimarrë prona private vetëm me qëllimin për t’i rishpërndarë më pas tek subjekte të tjera private nën investimet e rreme PPP.
Kjo gjë do të ishte një atentat i rëndë ndaj konceptit të tregut dhe të pronës private. Ajo mund të tërheqë vetëm investitorë të guximshëm lokal ose rajonal dhe të largojë investitorët e huaj, duke e larguar gjithmonë e më shumë Shqipërinë nga standardet e një vendi të sigurt për të investuar.
Exit.al