Vetting me votën e vrasësit Prenga!

Parlamenti ka votuar 6 projektligjet e paketës së Reformës në sistemin e Drejtësisë. Mazhoranca dhe opozita bashkuan votat vetëm për një prej projektligjeve që cilësohet si më kryesori për luftën kundër korrupsionit.
Bëhet fjalë për projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ose siç njihet ndryshe, ligji i SPAK-ut, që u miratua me 122 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Pas votomit të këtij ligji, opozita u largua nga salla e Parlamentit.
Ndërkohë, pesë ligjet e mbetura si ai për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe për funksionimin e Prokurorisë, për organizmin e pushtetit gjyqësor dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, u miratuan me 86 vota pro dhe një votë abstenim.
Në parashikimet ligjore është vendosur që 2 vjet pasi të jenë ngritur strukturat antikorrupsion, kontrolli i pasurive dhe figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe anëtarëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit të bëhet nga një komision i përbërë nga dy prokurorë të Njësisë Antikorrupsion dhe një gjyqtar i po kësaj strukture, që do të zgjidhen me short.
Duke i hequr në këtë mënyrë të drejtën që llogaritë bankare, bisedat telefonike, pastërtia e figurës të kryhet nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurive dhe Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Thirrja e Prengës në votim

Ligji për “Vettingun” i kundërshtuar nga opozita është miratuar nga PS dhe LSI me numrin limit të votave të deputetëve. Ligji duhet të kishte si minimum shumicën e cilësuar prej 84 votash. Ky ka qenë edhe numri i votave që ka marrë ligji. Për të siguruar këtë numër votash, Ramës i duhej prezenca e vrasësit Prenga. Ai është thirrur me urgjencë për të qenë i pranishëm në seancë ku edhe nuk ka munguar. Prenga është futur vetëm për të ngritur kartonin për Ligjin e Vettingut dhe 4 ligje të tjera të kontestuara nga opozita. Në rast të mungesës së votës së Prengës, Ligji për Vettingun do të rrëzohej, pasi mazhoranca nuk mund të siguronte dot 84 votat. Ky ligj Vettingu që bie në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e ndryshuar dy muaj më parë mund të marrë tani emrin ligji “Prenga”, pasi vota e tij ishte dominante në miratimin e ligjit.
Paradoksi në miratimin e këtij ligji qëndron në faktin se një vrasës vendos se si do të bëhet kontrolli i prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kjo është një tjetër njollë që i bëhet Reformës në Drejtësi në tërësi dhe Ligjit për Vettingun.
Rama synon kontrollin politik të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ai po synon që të gjithë të kalojnë përmes sitës së tij të kontrollit dhe kjo është jo vetëm antikushtetuese, por edhe rrënuese për drejtësinë. Ky ligj minon Reformën në Drejtësi dhe konsensusin e gjerë të arritur dy muaj më parë.

Berisha-Ramës: Do të gëlltisë drejtësia për mëkatet

Ish kryeministri Berisha paralajmëroi Ramën dje se sistemi i drejtësisë do të ndëshkojë atë dhe qeverinë e tij për të gjitha afera korruptive e vjedhjet e bëra në këto tre vite qeverisje. “Është e rëndësishme ta kuptoni se beteja e opozitës është vetëm për reformën dhe se ne, në mënyrë absolute i qëndrojmë dhe do të bëjmë gjithçka derisa çdo nen i votuar në këtë Parlament të materializohet, të zbatohet, të konkretizohet. E morët vesh ça ndodhi sot në Burrel? Prokurori u nis në një mision drejt arave të kanabisit të Edvin Shullazit dhe Saje qorrit. Njerëz të armatosur i shkrehën breshëritë prokurorit. A e morët vesh që ato 20 tonët që u kapën të kujt janë? Vetëm të qeverisë janë. A e dini se midis Fushë-Krujës dhe Tapizës janë magazinat e 100 tonëve të tjerë që s’guxon kush t’i prekë sepse ruhen. E dini ju që është rritur me 15 herë mbjellja e kanabisit nga viti 2014 dhe me 45 herë nga viti 2012? Prandaj ju duhet drejtësia në xhep! Po këtë s’do të mund ta bëjë kurrë” u shpreh Berisha. Ne kishim një marrëveshje dhe ajo ishte që 7 ligjet do të realizoheshin me konsensus. Çfarë kërkoi opozita? Opozita nuk kërkoi asgjë tjetër veçse respektin e frymës dhe germës së Kushtetutës. Po kjo e digjte Edi Ramën ndaj shkelmoi konsensusin. Jo vetëm në Gjykatë Kushtetuese do i çojë PD, por s’ka forum ndërkombëtar që s’do i çojë” tha Berisha.  “Mos mendoni ju se e gëlltisni dot sistemin e drejtësisë. Do ju gëlltisë ju sistemi i drejtësisë për mëkatet që keni bërë! Dhe duhet ta pranoni, duhet të keni minimumin e integritetit. Sigurisht do të gëlltisë Edi Ramën, sigurisht do të gëlltisë njeriun që në çdo firmë ka një valixhe, sigurisht do të gëlltisë njeriun që u thotë shqiptarëve tre vjet më parë se futja e plehrave në Shqipëri është tradhti kombëtare, kurse pas tre vitesh thotë se nuk janë lepur po mace, nuk janë plehra po mbetje. Kryetari juaj do t’ju mbushë ju mendjen se ai kazani ku hidhni qesen e plehrave quhet kazani i mbetjeve”. Berisha i kujtoi Ramës lidhjet e tij nga krimi i organizuar tek organizatat më të famshme mafioze siç është ajo e Ndragetës.

Opozita do ta çojë reformën deri në fund sipas parimeve të Venecias

Opozita do të vijojë betejën e saj për të çuar deri në fund realizimin e një reforme sipas parimeve të komisionit të Venecias.
Berisha tha se ka nene të tëra tek ligji i vettingut ku tejkalohen përcaktimet kushtetuese.
“Ky është një njeri që po lufton tani me të gjitha mjetet, nga mëngjesi deri në darkë, vetëm me një qëllim se si të mbulojë trupin e tij lakuriq me gënjeshtra të reja, se si të zëvendësojë gënjeshtrat e vjetra me gënjeshtra të reja, se si të zëvendësojë mashtrimet e vjetra me mashtrime të reja. Njëlloj si daja e tij që u thoshte shqiptarëve se “këto 25 vjet s’ka patur kurrë si kjo e ajo”. Vini re në çdo fjalim do e thotë 25-vjeçarin. Ka komplekse inferioriteti absolute sepse vetëm vjedh dhe nëse shkon vetëm duke vjedhur ato natyrisht të bëjnë të mos dish se ku je, të bëjnë të fyesh intelektin e çdo shqiptari.
Ndaj dhe një herë ju bëj thirrje qytetarëve të vazhdojnë reagimin ndaj qeverisë dhe Kryeministrit që në tri vite ka vetëm një rezultat: mashtrimin, skandalet, vjedhjet e papërmbajtura, kaosin, kanabisin, plehun. Ky është bilanci trevjeçar i tij. Reformën, shoh një vullnet të hekurt që opozita ta çojë deri në fund sipas parimeve të Venezias.
Ne kemi dërguar ligjin e Vetting-ut në Gjykatë Kushtetuese. U bëj thirrje mediave të njohin publikun mbi motivet për të cilat ne e kemi dërguar. Ne e kemi dërguar se në nene të tëra ligji tejkalon, shkelmon, anashkalon përcaktimet kushtetuese. Dhe të gjitha këto, prapa kërkesës nga lektorë në profesorë është Sokol Sadushi. Janë ndryshuar nenet e Kushtetutës, me terma të caktuara, në kundërshtim flagrant me ligjin për individë të caktuar. Kushtetuta përcakton kriterin se duhet të jetë edhe lektor dhe nuk thotë profesor, ndërsa profesor e thotë Sokol Sadushi” tha Berisha.

Degradim total i sistemit shëndetësor

Alarmi për kushtet skandaloze në të cilën ndodhet sistemi shëndetësor sot duhet të ngrihet në shkallën maksimale. Ish kryeministri Berisha shprehu shqetësimin dje në lidhje me sistemin shëndetësor, ndërsa denoncoi ngjarjen e rëndë të helmimit nga droga të 6 vajzave të një shkolle 9 vjeçare. Gjithashtu, Berisha iu referuar edhe ngjarjeve tragjike që kanë ndodhur kohët e fundit në maternitet ndërsa tha se ky është degradim total i sistemit shëndetësor, dhe jo nga paaftësia e mjekëve, por nga organizimi i tëri i bazuar në parimin e babëzisë.
“Ky është shembulli më tipik sesi paaftësia dhe korrupsioni të shurdhon, sesi babëzia dhe korrupsioni të nxjerr trupin jashtë shpirtin, sesi të zhvesh nga çdo ndjenjë njerëzore. Por një ministër qoftë edhe toksikolog nga profesioni, nuk mund të flasë kurrsesi në këtë mënyrë.  Akti i parë që bën është që të presim rezultatin e analizave. Se nuk ka logjikë që e pranon që vajzat të shkojnë me urgjencë në spital. Mos na bëni që të lëshojmë hipoteza të tjera. Kanë ndodhur helmime të rinjsh dhe është thënë që nuk janë helmuar, por pastaj kanë dalë helme të rënda.  Duhet të vijnë analizat e toksikologjisë. Se e dini çfarë i bënë këta mjekut? Mjekut që botoi shenjat e alergjisë nga kanabisi në Facebook, ministri rrugaç i dërgoi policët dhe e dërgoi në komisariat. Vetëm në shtetin e Oruellit ndodh kjo, as në diktaturë nuk ndodhte.
Çfarë bëri ai? Botoi shenjat e alergjisë së një njeriu nga kanabisi. E mori me bluzë të bardhë dhe e çoi në komisariat. Në kohë kur kushot e tij u kapën me 20 tonë! Dhe pastaj thotë “fronti i së keqes”! Është bërë e padurueshme kjo situatë! Kjo është bërë situatë katastrofale. Prit të dalin analizat, të bëjnë një komunikatë departamenti i toksikologjisë. Ju jeni bërë grumbulluesit të kanabisit në Shqipëri. Ju keni krijuar magazinat midis Kamzës dhe Fushë-Krujës, 100 e ca tonë. S’është gjë ajo e Vlorës. Unë e kuptoj që ju dispononi mediat dhe rrini nga mëngjesi deri në darkë duke riprodhuar mashtrime dhe nuk u lini alternativë tjetër, vetëm të zgjedhin se cili mashtrim është më i pranueshëm.
Ti (i drejtohet Beqes) duhet të ulësh kokën more për atë që ka ndodhur në maternitet. Të vdiq nëna me fëmijë! Në një kohë kur para dy vjetësh ka vdekur një nënë tjetër. Ky vend probleme ka, por ky vend, para 5-6 vitesh, ka patur dy vite njëra pas tjetrës pa asnjë vdekje amëtare, zero. Po vdiq një nënë, sigurisht që e gjithë shoqëria do të tronditet! Desh vdiq tjetra para katër ditësh. Dhe si shpëtoi? Shkuan morën kirurgun në spitalin “Nënë Tereza” sepse në maternitet obstetri që ishte aty nuk operonte! Po pse, a ndodh kjo?! Ky është degradim total i sistemit shëndetësor, dhe jo nga paaftësia e mjekëve, por nga organizimi i tëri i bazuar në parimin e babëzisë. Alarmi duhet të bjerë në shkallën më maksimale” tha Berisha.

Arben Shahini

Artikulli paraprakRrezik vdekje në shkolla nga droga
Artikulli tjetërTronditet sërish Durrësi, plagoset me armë 51-vjeçari