Ditën e sotme ka dalë përpara komisionit të vettingut në polici, komandanti i Gardës së Republikës, Gramoz Sako, për të cilin janë konstatuar disa probleme në deklarimin e pasurisë së Sakos dhe në pastërtinë morale të figurës.
Sipas KJV, komandanti i Gardës ka shlyer një kredi prej 3 milionë lekësh në 3 vite pa argumentuar burimin e të ardhurave.
Ai rezulton se ka probleme në investimet në një klinikë dentare në pronësi të tij, që rezulton me vlerë më të lartë sesa është deklaruar. Gjithashtu KVJ ka konstatuar se janë deklaruar 2 milionë lekë më pak në fitimet e klinikës për periudhën 2017-2018.
Automjeti ‘Toyota’ i Gramoz Sakos sipas deklaratave të tij është shitur 15 mijë euro por KVJ dyshon se kjo është një shifër fiktive pasi ai e ka blerë atë 450 mijë lekë.
Subjekti në kundërshtim me ligjin rezulton se ka qenë pronar i një bar kafe.
Në pastërtinë e figurës Gramoz Sako rezulton me probleme pasi ka punësuar dhe favorizuar mbesën si juriste në Gardën e Republikës.
Për sa i përket formimit profesional ai është pa probleme.
Para komisionit do të dalë dhe Gledis Nano, Drejtor i Drejtorisë së Antiterrorit, në Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Gjatë javës pritet që në vetting të kalojnë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe Artan Shkëmbi Drejtor i Drejtorisë Hetimore Qendrore, në Departamentin për Policinë Kriminale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.