Rasti i gjyqtarit Dritan Hallunaj, që liroi nga burgu Arben Frrokun, mikun vrasës të Edi Ramës, faktoi se vetingu po konfirmon në detyrë gjyqtarë të korruptuar, të lidhur me krimin e organizuar dhe që Edi Rama do t’i përdorë në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Konfirmimi në detyrë i gjyqtarit të Krimeve të Rënda Dritan Hallunaj, përgjegjës për lirimin nga burgu të mikut të Edi Ramës Arben Frroku, vrasësit të komisarit Dritan Lamaj, është këmbanë alarmi për sistemin e ri të drejtësisë dhe provë e qartë se vettingu nuk po ndëshkon gjyqtarët e prokurorët e korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.
Për këdo që e ka harruar, po sjellim në kujtesë momentin e dhënies së pafajësisë nga Dritan Hallunaj për mikun vrasës të Edi Ramës dhe që sot është vlerësuar si “vendimi i duhur” nga organet e vettingut.
Vendimi Hallunajt
Gjykata vendosi: Deklarimin të pafajshëm të të pandehurit Arben Frroku për akuzën e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese të kryer në bashkëpunim. (3 PRILL 2015)
Lirimi nga burgu i një vrasësi si Arben Frroku, që më pas në të gjitha shkallët e gjykimit, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, u dënua me burgim të përjetshëm, është shkak i mjaftueshëm për të shkarkuar nga detyra një gjyqtar.
Nëse gjyqtarët konfirmohen në detyrë pavarësisht se kanë liruar nga burgu vrasës dhe individë të lidhur me krimin e organizuar,
atëherë vettingu ka dështuar të kthejë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Kjo ishte e vetmja pritshmëri, e shprehur edhe nga ambasadori Donald Lu, 3 vjet më parë, kur komentoi rastin e Arben Frrokut dhe gjyqtarit që i dha pafajësinë.
Çfarë deklaroi Lu
DONALD LU: Persona si Arben Frroku, që vrau një shef policie, por në mënyrë të mistershme u lejua të largohet nga vendi, ndërsa ishte në pritje të apelimit në gjykatë…janë llojet e përsonave që duhet të kenë frikë nga një sistem drejtësie funksional. (17 NËNTOR 2015)
Me konfirmimin në detyrë të Dritan Hallunajt, jo vetëm po faktohet çdo ditë se Edi Rama kontrollon politikisht procesin e vettingut, por, po faktohet, gjithashtu, se Pallati i Drejtësisë nuk po pastrohet nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Organet e vettingut e mbrojtën gjyqtarin Hallunaj, që liroi nga burgu Arben Frrokun, sepse tani ai i duhet Edi Ramës në Këshillin e Lartë Gjyqësor për të vënë nën kontroll edhe qeverinë e re të gjyqësorit.
Nëse procesi i vettingut nuk do të ishte i korruptuar politikisht, sot Dritan Hallunaj do të ishte shkarkuar nga detyra, si një nga gjyqtarët e korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.
Partia Demokratike shpreh shqetësimin se procesi i vettingut, i diktuar nga Edi Rama, po mban në sistem gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, në kundërshtim me pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë.