KASTRIOT KOTONI
Vexhi Buharaja është një personalitet i njohur i letrave shqipe pas viteve 1990, sepse dritëhijet e kohës së diktaturës kishin lënë gjurmët në kujtesën e kohës. Të shkruash për Vexhi Buharanë si orientalist dhe veçanërisht si osmanist, do të thotë të vësh në dukje njohuritë e mëdha e të thella që ai zotëronte. Ai lindi më 12 maj të vitit 1920 në lagjen “Murat Çelepi” të qytetit të Beratit. U nda nga jeta më 5 shtator të vitit 1987. Familja e tij me origjinë krejtësisht shqiptare e kishte marrë mbiemrin “Buharaja” sepse zotëronin gjuhën, perse të cilën e kishin mësuar në shkollat fetare të kohës dhe e përcillnin në breza. I ati, Ismail Buharaja, kishte studiuar për fe dhe ndër të tjera kishte mësuar gjuhën persishte. Berati, ky qytet që i ka dëshmitë e veta qysh në shekullin e IV përpara Krishtit, 3000 vjet më parë, qëndron në krye të qyteteve shqiptare. Në emërtimin e parë të këtij emri i Antipatresë i përshkruar nga historianët antikë, Polibi dhe Tit Livi në krahinën e Dasaretëve. Në Beratin e një qytetërimi të pandërprerë, gjen krahas objekteve të kulturës materiale të kultit edhe shumë piktura dhe shkulptura të artit fetar, të cilat për nga vjetërsia shkojnë qysh në kohën e Shën Johan Kristonomit (Gojartit), 400 vjet pas Krishtit gjer në shekullin e XIX. Në gjysmën e dytë të shekullit të parë apostujt e Krishtit u shfaqën në Iliri për të kryer misionin e tyre.
Qysh në periudhën paleokritiane u krijua prej banorëve të Beratit një traditë e pasur në fushën e arteve të aplikuara si: të artizanatit të argjendarisë, të gdhendjes së drurit, të avlëmendit, të qëndisjses, por veçanërisht teknika e shkrimit në ar apo argjend, si një lloj pune e veçantë e argjendarëve dhe filigramtistëve të kohës, të cilët i dhuruan qytetit vepra fetare mahnitëse, që koha i ka ruajtur si relike të çmuara. Në vitin 1885, studiuesi francez, arkeologu dhe bizantologu Pjerre Batiffol, ishte çuditur kur kishte parë në Berat dy libra shumë të vjetër, të shkruar në ar dhe argjend, të cilët i kishte studiuar dhe kopjuar në bashkëpunim me metropolitan e këtij qyteti A.Aleksudhi. Sot këto quhen “Kodiku i Purpurt i Beratit”, si një nga dy kopjet e vetme në botë në ngjyrë vishnje të errët, të cilin të krishterët e Beratit e quajnë: “Ungjilli çudibërës i Shën Gjergjit”. Në një libër që gjendet në manastirin e Shën Gjergjit në Kalanë e Beratit shkruhet, se në 6 korrik të vitit 1356 një tërmet shkatërrimtar ka lënë pasoja të padëgjuara ndonjëherë. Berati ishte qendra e principatës së Teodor Koron Muzakës, pjesëmarrës dhe aleat i Skënderbeut në Lidhjen e Lezhës. Ringritja dhe fortifikimi i kalasë ka qenë një histori e begatë e këtij qyteti. Skuripeqi, një nga kryefetarët e Beratit në kohën e pushtimit serb i mblodhi të gjitha librat dhe ca ua dhuroi disa kishave dhe ato nga më të mirët i fshehu, pasi serbët i nxorën edhe të vdekurit nga varri. Sixhilati i Sherijes së Beratit është më i plot, siç njihet në ligjërimin e ish-Perandorisë osmane. Më 192 vëllime në një rezervat 400-vjeçar në burime për historinë e Shqipërisë ka mijëra faqe korrespondence zyrtare që dërgonin autoritetet qendrore të perandorisë, për të komunikuar vullnetin e sulltanit.
Berati si qendër administrative shumë e madhe kishte edhe oazin e saj kulturor e fetar e shkencor siç do të shkruante Evlija Çelebiu në veprën e tij “Sejahatnamesi”. Çelebiu është ndalur në Berat dhe ka shkruar në mënyrë të hollësishme për Beratin e bukur panoramik e me jetë të kulturuar. Qoshet e sofateve të kalasë dhe Tabakahanes janë vende soditëse dhe çlodhjeje të kulturuar. Shumica diskutojnë probleme fetare, shkencore, politike. Poetë oratorë dhe shkrimtarë të këtij vendi janë njerëz me kulturë të lartë e me studime të plota, janë njerëz të mençur me delikatesë në të folur. Në fund të shekullit XVIII, Berati u qeveris nga Ahmet Kurt Pasha, sundimtar i pashallëkut të Beratit, i cili njihet si një nga personalitetet e larta, nën drejtimin e të cilit qyteti i Beratit shkëlqeu. Ai rindërtoi me gurë Urën e Goricës më 1870, si dhe rindërtoi më 1782 Teqenë e Helvetinjve duke qenë edhe arkitekt i saj. Arkitekti Atik, Sinani (Kristo Dullo), arkitekt i famshëm dhe themelues i arkitekturës klasike osmane, si dhe arkitekt Kasëm Koxhaj kryearkitekt perandorak, ishin me origjinë nga Berati.
Në rrafshin kombëtar shquhen bejtexhinjtë e Beratit, Nezim Frakulla, Sulejman Naibi i dhanë vlera të njohura deri në ditët e sotme këtij qyteti. Muzika popullore e qytetit të Beratit, ashtu si një mbi një dritaret e tij pas pushtimit osman, ajo shfaqet njëzërëshe, se dikur ka qenë polifonike. Sazet e Beratit të drejtuara nga violinist Riza Nebati në vitin 1915, Halit Beratin, Naxhi Beratin, Mehmet Kovaçi, Rufani Diku, Murat, Kadri, e Qerim dhe Shyqyri Fuga, Hajri Maloku Pra ishte një tokë a vend ku kishte kohë që ishte mbjellë fara e diturisë dhe kulturës. Ndaj edhe falë këtij faktori jetuan shumë familje me tradita kulturore, midis tyre edhe familja Buharaja. Vexhiu mësimet e para të persishtes i mori nga babai i tij Ismaili që ishte njëkohësisht klerik në këtë qytet. Më vonë ai shkollohet për 9 vjet në shkollën e “Medresesë” ndërkohë në pushimet verore kishte mësuar edhe gjuhën turke. Gjuhën ruse e mësoi në burgun e Beratit në vitet 1946-1948, si i burgosur politik. Vexhiut pasi mbaroi me nota të shkëlqyera Medresenë e lartë në Tiranë, iu propozua bursë shteti për studime orientalistike në Itali.
Vexhiu kishte primare mbarëvajtjen, barrën ekonomike të familjes, ndaj edhe e refuzoj këtë rast që kishte të bënte me të ardhmen e tij. U përfshi në punë si lëvrues i kulturës islame në revistën “Kultura Islame” pranë Komunitetit Musliman në Tiranë. Një brez që e kuptonte më së miri se e ardhmja e atdheut kërkonte edhe qëndrimin e tij si krijues i ri shumë i talentuar i cituar nga Lasgush Poradeci, shkroi një poezi me temë “E nesërmja”, më pas botoi në gazetën “Tomorri” “Çuditë e fshatit tim”, me pseudonimin “Valater Çokdari”. Vexhi Buharaja është dalluar për një varg përkthimesh të rëndësishme që i përkasin periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, siç janë aktet dhe memorandumet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Aktet e tjera në gjuhën osmane shkruar në atë kohë nga Dervish Hima më 1899 si manifesti “Ujanallëm (Të zgjohemi), letërkëmbim i këtij të fundit me Ibraim Temon, i përbërë nga 64 letra nga. Emra dhe vepra e Vexhi Buharasë është bërë e njohur edhe në rrethet kulturore dhe letrare shqiptare. Profesor. Skënder Luarasi, pasi kishte lexuar “Gjylistani dhe Bostani” ka thënë: “Gjylistani i përkthyer nga Buharaja dëshmon se në gjuhën toskërishte është në gjendje të përkthejë më së miri vepra madhore poetike të letërsisë persiane. Me botimet e shkrimeve të tij në shtypin e kohës nga viti 1940 deri më 1944, ai ishte bërë një autor shumë i njohur. Për tu përmendur poezitë “Manushaqja”, “Përpara Tomorit”.
Ai e kishte idhullin e tij Lasgush Poradecin e ndaj në nder të tij shkroi poezinë “Poetit”, të cilën ky mjeshtër e vlerësoi shumë. Në konkursin letrar të organizuar në vitin 1942 nga Ministria e Kulturës, ai fitoi çmimin e parë me poezinë “Përpara Tomorrit”. Poezitë e tij të para përshkruhen nga një tis romantik të ndërtuara sipas vargut klasik, por e pasuruar me një fjalor të pasur dhe me një kontrast të fuqishëm filozofik, që shprehet nëpërmjet antitezave e figuracionit të epërm. Kështu ne mund të përmendim ndër to edhe poezinë kushtuar Margarita Tutulanit. Ku shkruan vargjet “Zbardhi shpata u nxi dita, ra një trup u ngrit një emër, ra dëshmore Margarita. doli burri nga një femër”. Siç do të thoshte më pas poeti i shquar Lasgush Poradeci për Vexhi Buharanë. “Është i madh Buharaja. – Nuk e kam fjalën për poezinë që më ka kushtuar mua, por se ka personalitetin e vet”. Për mua kanë shkruar edhe të tjerë, por vjershën e Vexhi Buharasë e ruaj në dosjen e veçantë të krijimeve të mia”. “Për mua – thoshte Lasgushi – dy janë të mëdhenjtë në fushën e përkthimit nga gjuha perse, i madhi Noli dhe ‘Gjylistanin’ i Sadiut shqipëruar nga Buharaja, dy bukuri mahnitëse të letërsisë persiane në Shqipëri”. Vexhiu i lëvroi si skicat letrare dhe poezitë edhe gjininë e elegjisë e njëra ndër to, kushtuar dëshmorit Jashar Cakrani dhe një vjershë kushtuar Kongresit Botëror Të Paqes (organizuar në Vjenë pas luftës), nuk e gjeti dritën e botimit, siç do të shkruante Buharaja në kujtimet e tij.
Me keqardhje skicën letrare “E nesërmja” poezinë “Manushaqja” dhe këto dy poezi nuk i gjeta. Vexhi Buharaja ndër punëtmë të vyeshme dhe të çmuara të cilat i shërbejnë historisë së kombit shqiptar janë përkthimet nga gjuha osmane e “Defterëve Omsanë”, të cilët shkruajnë për Shqipërinë dhe ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në përkthimin e disa etapave të historisë së kombit shqiptar nga gjuhët orientale. Ai ishte thirrur shpesh nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, siç tregojnë Aleks Buda dhe Vasfi Samini, të cilët ishin edhe njerëzit që e përkrahën më shumë në kushtet e kohës së diktaturës. Ky poliglot dhe orientalist, i cili me përkthimet e tij i dha shumë edhe letërsisë shqipe duke përkthyer poetët persë, me veprën aq të njohur “Gjylistani dhe bostani” dhe “Shahnamenë”, ose siç njihet ndryshe libri mbretërve të Firdeusit. Siç shkruan studiuesi Ahmet Kondo, ai mezi e priste në dorë “Shahnamenë”, veprën poetike në shkallë universale të Homerit të Lindjes, Firdusit.
Ai u gëzua shumë kur mori falas nga poeti Dritëro Agolli vëllimin e parë të saj në gjuhën ruse dhe të tjerat, pas kësaj. Buharaja punoi me durim e këmbëngulje për përkthimin e 700 vargjeve nga kjo vepër madhore poetike të cilën ia lejuan të botohej nga 60 mijë strofa dyrrokëshe. Një studim me vlerë, ai na ka lënë në fushën e historisë së lagjes “Muratçelepias” të qytetit të bardhë të Beratit. Kjo lagje relativisht e re shkruan Buharaja, sipas dokumenteve të një udhëtari me emrin Muhamed Zil’li i mbiquajturi Evlia Çelebi, i cili e ka vizituar Beratin në vitin 1670-1671. Sipas këtij autori, lagjja e ka marrë emrin nga njëfarë Kara-Murat Çelepi, një feudal shqiptar i cili në këtë fushë ka ngritur sarajet e veta dhe një kullë sahati dhe disa dyqane, domethënë bërthamën e kësaj lagjeje. Kështu nga mesi i shek. XVII, Muratçelepiasi nuk kishte më shumë se 65 shtëpi. Për avantazhet që paraqiste kjo lagje, krahas banorëve që erdhën nga lagjet e tjera, por edhe banorëve që zbritën nga fshatrat përreth erdhën edhe familje nga qytete të tjera, për shembull nga Gjirokastra, Narta e Vlorës, Elbasani, Mallakastra, Tirana dhe Shkodra. Esnafët e kësaj lagjeje ishin të shumtë dhe ndaj shumica e mbiemrave ishin sipas profesioneve, si Kazazët, Saraçët, Tabakët, Terziu, Berberi, Kovaçi, Furxhiu, Bojaxhiu, Simixhiu. Sulejman Naibi ishte nga kjo lagje dhe është i pari poet shqiptar që i këndoi plot zjarr e patos lirik bukurisë fizike të femrës duke shkelur me të dyja këmbët normat e moralit asketik fetar. Hamit Vokopola poet e këngëtar ka qenë nga kjo lagje. Më të vonshëm si kompozitorë dhe këngëtarë nga Muratçelepiasi mund të përmenden vëllezërit Fuga (Murat, Qerim, Kadri, Shyqyri). Në vitet e rezistencës antiosmane shumë esnafë të kësaj lagjeje luftuan me armë në dorë. Po ashtu edhe ndaj Ali Pashë Tepelenës dhe Mustafa Bushatlliut.
Në Kongresin e Manastirit i vitit 1908, Berati u përfaqësua nga patrioti Nyzhet Vrioni nga lagjja Muratçelepias. Në gusht të vitit 1909 u hap e para shkoll shqipe në lagjen Muratçelepias, siç shkruan Vexhi Buharaja për lagjen e tij plot krenari. Ndryshimet që solli Lufta e Dytë Botërore pas vitit 1944, ndonëse ishte i pafajshëm Vexhi Buharanë dhe shumë njerëz të elitës së vjetër intelektuale i goditi. Të vinte damkën e armikut të popullit regjimi komunist nuk ishte pa pasoja si për Vexhiun, por edhe pjesëtarëve të familjes. Kjo damkë e pajustifikueshme nga regjimi komunist e la në hije këtë intelektual të ndershëm me vlera të larta morale, të cilit shpesh ia kanë vjedhur veprat e përkthyera dhe sot e kësaj dite vazhdojnë të përfitojnë nga kjo pronësi intelektuale e Vexhi Buharasë. Ai sa herë frynin erërat e luftës së klasave do të ishte në shënjestrën e strukturave partiake dhe shtetërore të diktaturës komuniste, ndaj zgjidhte që të shoqërohej veç me një dhi përgjatë shëtitores së lumit “Osum”.
Në qytetin e tij të lindjes emrin e Vexhiut e respektojnë shumë dhe me të drejtë mburren me këtë misionar të dijes dhe të progresit. Bibliotekës së qytetit i kanë vënë emrin e Vexhi Buharasë dhe shumë rrugë në Berat e Tiranë kanë marr emrin e tij. Veprat e përkthyera nga Buharaja janë nga më të lexuarat dhe kalojnë nga një brez në tjetrin, gjithashtu dhe nga një shtëpi botuese në tjetrën në hapësirën mbarë shqiptare, falë talentit të tij si përkthye e njohës i disa gjuhëve, me të cilat: siç thoshte Dritëro Agolli kur i kish dhuruar librin e “Shahnamesë” nga gjuha ruse, – atij i shkëlqyen sytë nga gëzimi, se me këtë rast ai bënte krahasimet e përkthimit. Drama e mundimshe e këtij njeriu për t’u marrë me punë intelektuale dhe ndërkohë e caktojnë si arkëtar në berberhanën e qytetit, ishte një haraç që nuk e meritonte ky njeri i shenjtë i diturisë. Të hapen dosjet e të shikohet gjithçka për Vexhi Buharanë nëse do vërtet dikush ta nderojë këtë njeri pas vdekjes. “Armik i popullit” është ky stigmatizim që i shoqëroi familjarët e Buahrasë. Me një tis ironie do ta ketë përcjell në jetën e tij Vexhiu, siç tregojnë ata që e kanë njohur, njëra dorë i bindej më pak dhe i krijonte problem, por ai nuk ankohej dhe punonte shumë. Heshtja ishte arma e tij e vetme. Shushurima e lumit “Osum” e bashkëshoqëronte si një muzikë simfonike. “Koha rrjedh si ujët e lumit, që nuk kthehet kurrë mbrapsht”, – thosh ngaherë Vexhi Buharaja./Gazeta Panorama