Vezë të kontaminuara në 15 shtete të BE-së

Në pesëmbëdhjetë shtete të Bashkimit Europian, si dhe Hong Kong dhe Zvicra ka mbërritur veza e kontaminuar me insekticidin fipronil, bën të ditur Komisioni Europian, i cili do të mbajë një takim më 26 shtator. Komisioneri Europian për Sigurinë e Ushqimit, Vytenis Andriukaitis ka kërkuar që vendet t’i japin fund fajësimit të njëri-tjetrit lidhur me skandalin e vezëve. Sipas tij, ministrat europianë dhe rregullatorët e ushqimit duhet të takohen menjëherë për të diskutuar masat për këtë çështje. Vezë me prejardhje nga Holanda janë zbuluar se përmbajnë fipronil, një insekticid i rrezikshëm për njerëzit dhe gjithashtu një substancë e ndaluar nga Bashkimi Europian për përdorim në industrinë e ushqimit. Mbikëqyrësi britanik i ushqimit deklaroi se rreth 700,000 vezë nga ferma të ndotura holandeze kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar, përkundër një përllogaritjeje të mëhershme prej 21,000 vezësh. Sidoqoftë, Agjencia e Standardit Ushqimor në Britani është shprehur se nuk ka gjasa që kjo situatë të shkaktojë rrezik për shëndetin publik. Ushqimet e përpunuara që përmbajnë vezë tashmë janë tërhequr nga dyqanet në disa qytete, ndërkohë që edhe supermarkete në Belgjikë, Holandë e Gjermani kanë tërhequr miliona vezë nga shitja. Holanda është prodhuesi më i madh i vezëve në Europë dhe një nga eksportuesit më të mëdhenj të vezëve dhe produkteve të tyre në botë. Më shumë se 100 pulari në vend janë mbyllur gjatë hetimit lidhur me këtë skandal. Kimikati fipronil që përdoret për të kuruar sëmundjet parazitare tek kafshët, mund të shkaktojë dëme në mëlçi, veshka dhe gjëndrat tiroide të njerëzve nëse konsumohet në sasi të mëdha.

Franca vëren rrezik minimal nga vezët e kontaminuara
Gati, 250,000 vezë të kontaminuara me insekticidin, fipronil, kanë arritur në dyqanet e Francës dhe shumica prej tyre tani edhe janë konsumuar, ka thënë Ministria e Fermave në Francë, duke shtuar se kanë vërejtur rrezik minimal nga ky incident. “Nivelet e tashme të kontaminimit nuk përbëjnë ndonjë rrezik për konsumatorët”, ka thënë kjo ministri, duke cituar një hetim nga Agjencia franceze për Shëndet dhe Siguri, e cila ka vërejtur “shumë pak” rrezik. “Mirëpo derisa është evituar rreziku për konsumin njerëzor, hetimet tashmë kanë nisur për fermat e pulave dhe vendet ku prodhohen vezët, është thënë tutje nga kjo ministri. Miliona vezë të pulave janë larguar nga tregjet evropiane, për shkak të prezencës së insekticidit fipronil, i cila është zbuluar nga shumë vende në Evropë. Ky insekticid, i cili përdoret për trajtimin e kafshëve shtëpiake nga insektet, është i ndaluar në zinxhirin ushqimor dhe deri më tash policia holandeze ka arrestuar dy persona, gjatë hetimit për të kuptuar se prej nga rrjedh ky kontaminim. Autoritetet franceze kanë identifikuar më parë pesë fabrika të procesimit të ushqimit, të cilat kanë pranuar vezë të kontaminuara nga Belgjika dhe Holanda. Komisioneri evropian i ngarkuar për sigurinë e ushqimit, ka thënë dje se ka thirrur një takim të ministrave dhe vëzhguesve kombëtarë, për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.

 

Exit mobile version