Trajneri që vinte nga një eksperiencë në kampionatin brazilian do të fillonte menjëherë nga puna për të krijuar një skuadër që do të përballej me Poloninë në muajin mars 2023, e vlefshme për kualifikueset e Europianit. Të gjithë më pas e dimë sesi shkoi, por qëllimi i këtij shkrimi është që të sjellë të gjitha emrat e lojtarëve që Silvinjo ka përdorur deri tani, ku po përmbushet dy vite nga ardhja e tij.
Nga një vëzhgim i gazetës, rezulton se nën urdhrat e 50-vjeçarit janë vënë plot 47 futbollistë të ndryshëm, ku padyshim jo të gjithë kanë zbritur në fushë. Duke i ndarë me reparte, në 22 ndeshje që Shqipëria ka luajtur nën drejtimin e Silvinjos, 16 i takojnë Tomas Strakoshës dhe 6 Etrit Berishës. Ndërkohë të grumbulluar kanë qenë edhe Kastrati, Sherri dhe Simoni.
REKORDET NË EPOKËN SILVINJO – Nëse ka një lojtar që Silvinjo i ka besuar më shumë minuta, ai është truri i mesfushës, Kristjan Asllani, me 1855 të tilla. Mario Mitaj ka vetëm 10 minuta më pak dhe është i dyti në rangun e aktivizimit. Më pas vijnë Ylber Ramadani, Nedim Bajrami dhe Jasir Asani. Lista vijon me Hysajn, Ismajlin dhe Gjimshitin.
Ndërkohë, një rekord më vete e mban edhe Jasir Asani. Silvinjo është “fiksuar” me anësorin e sulmit pasi mbetet i vetmi lojtar i cili i ka luajtur të 22 ndeshjet si titullar. Mario Mitaj ka humbur vetëm ndeshjen e parë me Poloninë sepse ka qenë i angazhuar me ekipin U-21, ndërsa pas Asanit vijnë Kristjan Asllani me 21 ndeshje si titullar, Nedim Bajrami me 20 dhe Ylber Ramadani me 19-ë. Sa i përket sulmit, Seferi është më i aktivizuari, i ndjekur nga i tërhequri Sokol Cikalleshi dhe Myrto Uzuni me Rei Manajn.
ASNJË MINUTË- Padyshim që në një gamë kaq të zgjeruar, ka edhe lojtarë që nuk kanë zbritur asnjë minutë në fushë me Silvinjon. Ata janë 11 të tillë duke filluar me: Kastrati, Sherri, Simoni, A.Bajrami, Mersinaj, Lenjani (i tërhequr) Hadroj, Pajaziti, Roshi (i tërhequr), Selahi, dhe Fetai.KRISTI SEJATLLARI-P