Dy komuna të vogla në Serbi janë duke i mbajtur zgjedhjet lokale më 8 qershor – proces zgjedhor që konsiderohet test për Qeverinë, pasi është i pari prej nisjes së bllokadave të studentëve nëpër fakultete, në nëntor të viti 2024, të nxitura nga vdekja e 16 personave, si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.
Në të dyja këto komuna, prej vitesh, është në pushtet Partia Përparimtare Serbe (SNS), e themeluar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 7:00 në të dyja komunat, dhe do të mbyllen në orën 20:00.
Në Zajeçar, qytetarët do t’i zgjedhin 50 anëtarë të Asamblesë komunale ndërsa në Kosjeriq 20 të tillë.
Në territorin e Zajeçarit, të drejtë vote kanë 47.357 banorë, ndërsa në Kosjeriq, 8.898.
Sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor, deri në orën 12:00 në Kosjeriq kanë votuar 4.225 qytetarë, apo 47.48 për qind.
Deri në atë orë në Zajeçar kanë votuar 32.64 për qind e banorëve me të drejtë vote, ka bërë të ditur Komisioni.
Ministria për Punë të Brendshme e Serbisë ka thënë se në disa qendra votimi në Kosjeriq “ka pasur tentime për të bllokuar ilegalisht qendrën e votimit, dhe për të penguar procesin zgjedhor”, mirëpo që “ato janë shmangur në përputhje me ligjin”.
“Zyrtarët policorë nga stacioni policor në Kosjeriq janë duke vepruar pas raportimeve nga presidenti i Komisionit të Zgjedhjeve se në qendrën e votimit 22, në fshatin Dërmanovina, vëzhguesi Veselin Ristanoviq, duke përfaqësur listën ‘Të bashkuar për Kosjeriqin’ e ka djegur listën e votimit për personat që mund të votojnë nga shtëpitë. Policia është duke punuar në këtë rast”, është thënë në deklaratë.
Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA) ka thënë se ka raportuar në polici se disa vëzhgues të organizatës në Kosjeriq kanë pranuar kërcënime dhe provokime përmes thirrjeve telefonike.
Aktivistët dhe banorët e Kosjeriqit e kanë rrethuar një depo, pasi besojnë se prej asaj pike partia në pushtet është duke transportuar votuesit nëpër qendra votimi.
Turma nuk është duke lejuar askënd që të lëvizë, ndërsa të pranishme janë edhe forcat policore.
Sipas CRTA-s, në një qendër votimi në Zajeçar, në dy raste votuesve u janë dhënë fletëvotime të plotësuara.
Edhe në këtë komunë është raportuar për presion ndaj vëzhguesve nga ana e udhëheqësve të qendrave të votimit.
Në Zajeçar garojnë tetë lista elektorale, ndërsa në në Kosjeriq vetëm tri.
Në Kosjeriq garojnë listat: “Nuk do të heqim dorë nga Serbia – Aleksandar Vuçiq”, “Partia ruse – Serbia në BRICS, Sllobodan Nikoliq” dhe “Të bashkuar për Kosjeriqin”.
Në Zajeçar garojnë listat: “Nuk do të heqim dorë nga Serbia – Aleksandar Vuçiq”, “Ndryshimi që e besojmë në Ugljesha Gjuriçkoviq, Dragana Rashiq”, “Të bashkuar për të ruajtur Zajeçarin, Mirko Jellenkoviq, Milladin Kërstiq”, “Doktor Nenad Ristoviq – Vendas për Zajeçarin”, “Ivica Daçiq – SPS – Të vendosur për Zajeçarin”, lista minoritare “Koalicioni për Serbinë Lindore – Sasha Radulloviq Gërlanac”, “Ne, Forca e Popullit – profesor Branimir Nestoroviq” dhe “Serbët Liberalë – Vlladimir Kovaçeviq”.
Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA) ka bërë të ditur në mëngjesin e 8 qershorit se të gjithë vëzhguesit e organizatës janë në Zajeçar dhe Kosjeriq.
Ndonëse në parim mund të mos duken zgjedhje shumë të rëndësishme, fushata zgjedhore në dy komunat është përcjellë nga incidentet, përleshjet mes mbështetësve të Qeverisë dhe opozitës dhe sulmeve ndaj ekipeve të gazetarëve.
Pavarësisht se kanë pak banorë, ato janë kthyer në një temë të rëndësishme javëve të fundit dhe në destinacione të domosdoshme vizitash për zyrtarët e lartë shtetërorë, përfshirë edhe vetë Vuçiqin./REL