Nisur nga raportimet masive mbi tjetërsimin e vullnetit të votuesve çka shtrembëron dhe rezultatin e vërtetë të zgjedhjeve siç ndodhi në zgjedhjet e 25 qershorit, koalicioni i vëzhguesve vendorë kërkon ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe sanksionimin e shpalljes së pavlefshme të rezultatit të votimit në rastet kur para dhe gjatë procesit zgjedhor ndodh intimidimi apo cënimi i vullnetit të votuesve. Ky propozim i vëzhguesve vendorë vjen në një kohë kur pas zgjedhjeve të 25 qershorit janë të dokumentuara me prova e fakte me qindra raste të tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve përmes blerjes së votave, shantazheve apo presioneve për të favorizuar subjekte të caktuara politike. Dje, koalicioni i vëzhguesve vendorë publikoi raportin mbi monitorimin e drejtësisë zgjedhore në zgjedhjet e 25 qershorit. Sipas këtij raporti krahas shqetësimit mbi tjetërsimin e vullnetit të votuesve vihen re edhe një sërë mangësish të tjera që kanë të bëjnë me drejtësinë zgjedhore. Sipas raportit, “dyshimi publik vazhdon të jetë i lartë në integritetin e procesit zgjedhor, dhe kryesisht edhe mbi vërtetësinë e rezultateve të fletëve të votimit, përsa rezulton në vendimet përfundimtare të proceseve zgjedhore. Kjo situatë dyshimi vazhdon të jetë e pranishme, megjithë mekanizmat ligjorë të rinumërimit dhe rivlerësimit, teknologjinë mbështetëse të kamerave përgjatë numërimit të fletëve të votimit, aksesin e vëzhguesve partiakë dhe jo-partiakë, apo të tjera”. Një dyshim që duhet theksuar se është rrënjosur si nga praktikat manipulative të ndjekura ndër vite nga vetë subjektet zgjedhore, por edhe nga klima e vazhdueshme delegjitimuese e procesve zgjedhore prej forcave elektorale humbëse. Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë në vijimësi të raportimeve të tij ka ngritur shqetësimin për cedime thelbësore në punën e këtyre Komisioneve, lidhur edhe me çështjen e ankimimeve. Në traditën e proceseve zgjedhore, janë evidentuar shumë raste, kur ankimimet e paraqitura pranë këtyre Komisioneve në mënyrë të jashtëligjshme nuk janë pranuar prej Komisionerëve, ose janë pranuar, por pa u protokolluar, apo nuk kanë mundur të depozitohen për shkak të pamundësisë për t’i gjetur në detyrë anëtarët e trupës së KZAZ-ve, madje pa mundur as ta faktojnë përgjegjësinë respektive në situatën e fundit. Për këtë arsye, si dhe për të patur një skanim të plotë të ecurisë së punës së KZAZ-ve gjatë këtij procesi zgjedhor, KVV u përpoq të ndiqte në mënyrë të detajuar tërë vendimmarrjen e këtyre Komisioneve. Ajo që u faktua si problematika kryesore në këtë drejtim, e cila pamundësoi bërjen e analizës së plotë, ishte mungesa e thelluar e transparencës së këtyre Komisioneve. Rinumërimi dhe rivlerësimi i kryer nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për këtë rast shënoi një numër të lartë rinumërimi të qendrave të votimit, të krahasueshme me procesin për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Tiranë në Zgjedhjet Vendore të 8 majit 2011 si dhe në Qarkun Kukës në Zgjedhjet Parlamentare të 23 qershorit 2013. Edhe pas procesit të rinumërimit në procesin zgjedhor të 25 qershorit 2017, si në pjesën më të madhe të praktikave të mëparshme të rinumërimeve dhe të rivlerësimeve, nuk pati “përmbysje” të rezultatit. Përpos një mospërputhshmërie të rezultateve në pjesën më të madhe të qendrave të votimit, ku në pak raste marzhet e mospërputhjes ishin relativisht të larta, në rezultante nuk u prek thelbi i rezultatit. Ajo që mbetet shqetësuese dhe që vazhdon t’a ushqejë dyshimin për procesin e numërimit të kryer është se në rastet e rinumërimit të sipërpërmendura, rezultatet përfundimtare jo vetëm që nuk janë identike me të mëparshmet, por evidentohen raste ndryshimi me një marzh përtej dyshimit të arsyeshëm të një gabimi njerëzor. Në vijueshmëri të këtyre rezultateve të ndryshueshme, me të drejtë ngrihet pikëpyetja lidhur me tërësinë e rezultateve tashmë dhe kryesisht në raport me dëmtimin e mundshëm të subjekteve zgjedhore, të cilat nuk janë pjesë e procesit të administrimit të zgjedhjeve.
11 rekomandimet për proceset zgjedhore
-Në përfundim të çdo procesi zgjedhor, merret në konsideratë adresimi ligjor i problematikave apo mangësive të rezultuara përgjatë procesit.
-Në rastin e procesit zgjedhor të 25 qershorit 2017, të vendosur edhe në kontekstin e sipërpërshkruar, kjo nevojë bëhet akoma më e madhe duke kujtuar edhe dështimin tërësor të punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili parapriu këtë proces.
-Për këto arsye dhe si premisa për veprimtaritë që priten prej një procesi reformues të thelluar të kuadrit ligjor zgjedhor, si i zotuar nga aktorët kryesorë politikë, më poshtë parashtrohen disa nga rekomandimet më emergjente për t’u adresuar nga legjislatori.
-Kuadri ligjor dhe sistemi institucional aktual i Drejtësisë Zgjedhore meritojnë të rishihen në formë integrale, duke adresuar të gjitha problematikat e evidentuara deri më tani.
-Raportet institucionale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kolegjit Zgjedhor dhe të Gjykatës Kushtetuese nevojiten me urgjencë të harmonizohen.
-Me domosdoshmëri nevojitet të rregullohet pesha e precedentit në vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor në shqyrtimin e ankimimeve.
-Mekanizmi i rinumërimit dhe rivlerësimit të fletëve të votimit nevojitet të rishihet, duke lehtësuar mundësinë e subjekteve zgjedhore për t’a ndërmmarrë, pa lejuar nga ana tjetër cenimin e solemnitetit të procedurave.
-Detyrimi i të gjitha institucioneve përgjegjëse në proceset zgjedhore, kryesisht të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor për të bërë transparencë publike të vendimmarrjes së tyre, duhet të përcaktohet si kategorik dhe paekuivok.
-Në rritje të transparencës së veprimtarisë së Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor, si trupë funksionarësh publikë, sugjerohet që përpjekjet për depolitizimin e komisioneve zgjedhore të nisin pikërisht nga këto Komisione të nivelit të dytë të administrimit të procesit.
-Vendimmarrja, dokumentacionet e përdorura, komunikimi shkresor i institucioneve përgjegjëse në proceset zgjedhore duhet të vendoset në një regjim transparence online në kohë reale për përdorim të gjerë dhe me akses të lirë për publikun.
-Kuadri ligjor zgjedhor duhet të zgjerojë konceptin e pavlefshmërisë së votimit edhe për rastet e drejtimit dhe intimidimit të votës në periudhën para ditës së zgjedhjeve.