Vidal në udhëkryq te Bayern

Kanë kaluar më shumë se dhjetë sezone, që kur Arturo Vidal debutoi në Bundesliga. Pas aktivizimit me Bayern Leverkusen, në 2011-ën kiliani u transferua te Juventus-i në Torino përpara se t’i bashkohej Bayern Munich-ut. Që nga vera e 2015-ës, mesfushori vesh fanellën e kampionëve të Gjermanisë, por kritikat ndaj tij sa vijnë dhe shtohen. Tashmë në moshën 30-vjeçare, Vidal po i afrohet fundit të karrierës, por fundi te Bayern mund të vijë më përpara se sa ishte parashikuar. Këtë e beson gjermania “Kicker”, sipas së cilës mesfushori kilian nuk po i justifikon më pritshmëritë e bavarezëve. Edhe skadenca në 2019-ën e kontratës së lojtarit nuk e lehtëson situatën.
Dy janë opsionet përpara Vidal. Largimi në merkaton e verës 2018, ose një zgjatje e kontratës. Nëse palët nuk bien dakord, ai do të largohej si lojtar i lirë verën e ardhshme. Interi ka shfaqur ndërkohë interes për kilianin, i cili ka dhuruar ditë të bukura te Juventusi. Por problemi qëndron në faktin nëse Vidal do të pranojë të fusë më pak para në xhepin e tij.

Artikulli paraprakOferta e re e Barcelonës
Artikulli tjetërVenger i propozon PSG-së shkëmbimin Sanchez-Draxler