Jetojmë në një botë që, teorikisht, do të duhej të na bënte të ndiheshim më mirë. Kemi më shumë mundësi se kurrë më parë. Teknologjia ka lehtësuar jetën, aksesi ndaj informacionit është më i lehtë dhe komunikimi më i shpejtë se ndonjëherë. Teorikisht, duhet të ndiheshim më të qetë, më të plotësuar, më të përmbushur. E megjithatë, ankesa më e përhapur sot është: “Nuk ndihem mirë.”
Në një fragment nga biseda në podcastin Apostrof, psikiatri dhe psikoterapisti Dr. Neli Demi prek pikërisht këtë paradoks modern të patologjizimit të emocioneve:
“Duket sikur ka një tendencë drejt patologjizimit të çdo emocioni të fortë. Veçanërisht ndaj atyre që i quajmë ‘negative’ — një emërtim i pamerituar, sepse çdo emocion ka një funksion. Edhe ato që sjellin vuajtje janë të rëndësishme për t’u përjetuar. Nëse u lëmë hapësirën e nevojshme, mund të kuptojmë dhe adresojmë çfarë i shkakton.”
Ndoshta problemi nuk është tek emocionet, por tek mënyra si i lexojmë ato. Shumë prej ndjesive që na shqetësojnë nuk janë shenja dobësie, por sinjale që diçka brenda nesh po kërkon vëmendje. Dhe për këtë, ndonjëherë duhet më shumë guxim për të përjetuar plotësisht emocionet tona sesa për t’i shtypur ato.
Ndiqni episodin e radhës të Apostrosf këtë të diel në kanalin e gazetës TemA në Youtube