Video-filmat e Ramës në spitalet e Covid janë mashtrim! Pacienti: Ju tregoj çfarë ndodh në spitalin “Shefqet Ndroqi”

Nga Flamur GJYMYSHKA

Videot rozë të Ramës mbi spitalet Covid më detyruan të bëj publike të vërtetën mbi gjendjen në spitalet Covid, si një nga pacientët që për një muaj kam parë nga afër gjendjen në spitalin “Shefqet Ndroqi” tre muaj më parë.

Besoj se kjo situatë nuk është përmirësuar, por përkundrazi vetëm është rënduar pas shtimit të rasteve në javët e fundit.

Së pari dua të shpreh mirënjohjen dhe falenderimet më të përzemërta për ekipin e mjekëve dhe personelit ndihmës që me shumë përkushtim u shërbejnë të sëmurëve në një gjendje të ngarkuar fizike dhe psikologjike.

Por përkushtimi dhe përgjegjësia e tyre nuk zgjidh problemet me të cilat ndeshen pacientët në spitalet Covid. Ndër të cilat më evidente janë:

1- Mbingarkesa e personelit mjekësor. Çdo infermier ndiqte mbi 10-11 të sëmurë. Numri i madh i të sëmurëve nuk mundësonte respektimin korrekt të zbatimit të terapive dhe shërbimeve të tjera ndaj të sëmurëve.

2- Mungesa e psikologut për të sëmurët dhe personelin mjekësor. Ngarkesa psikologjike, stresi, depresioni, skizofrenia, por në veçanti paniku janë prezente te të sëmuret me Covid. Por ngarkesa psikologjike ishte prezent edhe te personeli mjekësor, të cilët punonin 16 orë nën stresin e rrezikut të infektimit nga virusi, temperaturave të larta, si dhe fakti që një pjesë e tyre jetonin larg familjes për të mbrojtur familjarët nga virusi.

3- Një pjesë e personelit ndihmës ishin të patrajnuar në përdorimin e aparaturave mjekësore.

4- Numri i kufizuar i pajisjeve që nevojiteshin për të sëmurët në terapi intensive, mungesa e të cilave i detyronte të sëmurët t’i siguronin individualisht jashtë spitalit.

5- Numri i lartë i të sëmurëve për dhomë që ndikonte psikologjikisht, por dhe në ngarkesën virale. Personalisht të qëlloi që një natë kam qëndruar mbi 4-5 ore në krah të një personi që ndërroi jetë nga Covidi.

P.S. Nuk do i shkruajta këto rreshta pasi unë e mirëkuptoj ngarkesën në spitale, por nuk arrij të kuptoj tendencën për ta fshehur gjendjen nga kryeministri dhe aq më keq duke u përpjekur ta paraqesë rozë atë.

Artikulli paraprakHumb jetën nga Covid-19 Drejtori i Zyrës Arsimore (Foto)
Artikulli tjetërSpiropalizimi i qeverisë dhe vdekjet gratis të shëndetësisë “falas”!