Pas tërmetit të nëntorit, pedagogu i Politeknikut Klement Qerimi humbi jo vetëm banesën ku jetonte prej 30 vitesh, por edhe shikimin. Retina e syrit të djathtë iu dëmtua teksa po zhvendoste në errësirë orenditë nga godina 15 në Qytet Studenti.
Qerimi: U godita nga një mobilie në retinën e syrit të djathtë. Këtë e kam syrin tim aktiv, se syrin e majtë e kam me probleme që nga lindja.
Në Shqipëri mjekët e kanë të pamundur t`i rikthejnë shikimin e plotë. Shpresë ka gjetur në një spital në Izrael. Ai kërkon ndihmën e institucioneve shqiptare, pasi e ka të pamundur financiarisht të përballojë ndërhyrjen.
Qerimi: Nuk e di sa do të kushtojë sepse do të bëhet një vizitë, analizë nga klinika të specializuara dhe atje do të përcaktohet. Kërkoj nga shteti shqiptar të më trajtojë për shërimin e dritës së syve, ta mendojnë sikur është një pjesëtar i familjes së tyre.
Klement Qerimi thotë se problemi me shikimin i krijon vështirësi jo vetëm në përmbushjen e detyrës së tij si pedagog, por edhe për kujdesin e fëmijëve të mitur. /Oranews