Avokati i gazetarit Jetmir Olldashi, Indrit Sefa ka deklaruar se akuzat e prokurorisë për klientin e tij për “kallëzim të rremë” nuk qëndrojnë pasi regjistrimi është bërë në tetor dhe jo në janar siç pretendon prokuroria.
Sefa, i ftuar në “Fax News” tha se Fredi Alizoti nuk është i besueshëm dhe se akuza ndaj klientit të tij është e paligjshme. Ai thotë se deklarata e drejtorit të policisë Ardi Veliu se Fredi Alizoti është shoqëruar nga policia e Fierit nuk qëndron. Sipas tij nuk ka asnjë urdhër në dosje për shoqërimin e Fredi Alizotit.
“Fredi Alizoti nuk ka të qarta rrethanat, pretendon se regjistrimi është bërë në muajin janar, ndërkohë regjistrimi është bërë në 24 tetor. Është e faktuar, Jetmir Olldashi ka qenë më 24 tetor në Vlorë dhe prokuroria e pranon. Prokuroria ka një variant të saj, thotë që zoti Olldashi nuk arriti të bëjë regjistrimin në datë 24 tetor të 2017 kur ka qenë pjesë e investigimit, këtë fakt e ka përmendur publikisht në media edhe zoti Olldashi që në momentin e bërjes së bisedës mes Babales dhe Agrin Xhafës në lokal nuk ka qenë prezentë, por e ka pajisur Babalen me një stilolaps”, tha ai.
“Është e provuar katërçipërisht që zoti Olldashi nuk ka qenë në janar në Vlorë. Është e provuar edhe nga tabulatet, pra akuza për kallëzim të rremë nga prokuroria është se regjistrimi i sjellë nga Partia Demokratike, nuk është ai që është zhvilluar në 24 tetor të 2017 por është biseda e regjistruar nga Albert Veliu dhe Fredi Alizoti në janar, por në janar Jetmir Olldashi nuk ka qenë në Vlorë”, shtoi Sefa.
Ai tha se Prokuroria nuk e ka kërkuar CD-në origjinale që Jetmir Olldashi i ka dhënë deputetit Ervin Salianji, por ka kërkuar vetëm atë që ka publikuar PD dhe jo edhe materialin e publikuar të plotë në emisionin “Ajsberg” në “Fax News” ku sipas tij implikoheshin edhe persona të tjerë.
“Prokuroria nuk e ka kërkuar diskun që Jetmir Olldashi i ka dhënë Ervin Salianjit, por vetëm atë që ka publikuar PD, por në investigimin e plotë të transmetuar në ‘Ajsberg’ në “Fax News” ka dhe vepra të tjera penale”, tha ai.
Sefa u shpreh se Fredi Alizotin, ose duhet ta besojmë ose jo, nëse besohet atëherë duhet të shoqërohet Ardi Veliu dhe Taulant Balla.
“O do ta besojmë Fredi Alizotin në të gjitha deklaratat e tij, o nuk do ta besojmë, e vendos prokuroria, nëse do ta besojmë, të shoqërohet drejtori i policisë, të shoqërohet Taulant Balla, të gjithë personat që përmendet, ne jemi dakord, ne do pranojmë të gjithë deklarimin që ka dhënë Fredi Alizoti në Prokurori, por të pranojmë edhe deklarimet në video”, u shpreh avokati.