Tre persona janë proceduar penalisht pasi akuzohen se kanë organizuar një protestë ditën e djeshme, pasi trageti me të cilin kishin rezervuar udhëtimet, shtyu udhëtimin drejt Italisë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës proceduan penalisht për veprat penale ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme’ dhe ‘Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’, shtetasit A. M., 50 vjeç, banues në Skrapar, A. G.,52 vjeç, banues në Divjakë dhe Xh. D., 52 vjeç, banues në Shijak.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën e djeshme, rreth orës 16:30, në lagjen nr.4, Durrës, pasi janë njoftuar se udhëtimi i tyre me traget ishte anuluar, kanë organizuar protestë në mënyrë të paligjshme, me pasagjerët e linjës, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në rrugë”, njoftoi policia.
Nga strukturat e DVP Durrës vijojnë hetimet për pronarët e kësaj linje udhëtimi, pasi nuk i kanë lajmëruar në kohë pasagjerët e tyre, për anulimin e udhëtimit, shtuan të njëjtat burime.
Një ditë më parë, Autoriteti Portual Durrës njoftoi shtyrjen e udhëtimit me tragetin “AF Francesca” drejt Barit, e organizuar nga agjencia lundrimore “Adria Ferries”.
Pamje nga protesta janë postuar në rrjetet sociale.
Edhe këtë të Enjte, Autoriteti Portual njoftoi sërish për anulim të udhëtimeve:
“Në kushtet e mungesës së një trageti të linjave GNV dhe Adria Ferries, për shkak të defektit të pësuar në Itali, informojmë udhëtarët që kanë rezervuar lundrimet drejt Italisë se: Sot NUK do të ketë nisje nga Porti i Durrësit drejt Ankonës, deri në një njoftim të dytë”.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe ish-Kryeministri Berisha, i cili ka publikuar edhe videon. “Kjo është përcjellja nga narkoshteti në Portin e Durrësit e emigrantëve që kaluan pushimet në Shqipëri. Turp e faqe e zezë! sb”, shkruan Berisha në Facebook.