Video/ Si Rama i nxiste banorët ta konsumonin, mbi 300 banorë janë helmuar nga uji në Krujë

Mbi 300 banorë të Krujës dyshohet se janë helmuar nga uji, që kryeministri Edi Rama e inkurajonte për konsum.

Drejtoresha e spitalit të Krujës, Yllka Sheta konfirmoi për mediat se, nga dita e Dielë, rreth 320 pacientë janë paraqitur për ndihmë mjekësore. Simptomat kanë qenë të ngjashme: dhimbje barku, të vjella, diarre dhe dyshohet se kanë lidhje me helmimin e shkaktuar nga uji që vjen në rubinetet e banesave të banorëve të Krujës.

Pacientë të shtruar në spital kanë konfirmuar se kanë pirë ujë nga ai që i vjen në çezma, të cilin kreu i qeverisë Edi Rama e ka inkurajuar për konsum.

Gjatë fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama inauguroi  Ujësjellësin e Krujës. I shoqëruar nga kryebashkiaku Artur Bushi, deputeti Rrahman Rraja, deputetja Milva Ekonomi dhe inxhinierë të ujësjellësit, Rama provoi vetë ujin e ujësjellësit duke u bërë thirrje qytetarëve ta konsumonin, sepse ishte i pijshëm.

“Uji i pijshëm i Krujës 24 orë. Gëzuar! Perfekt”, u shpreh kryeministri Rama, i cili me veprimin e tij u tregoi banorëve se mund ta pinin ujin direkt nga rubineti.

Një hetim ndërkohë ka nisur për situatën, me policinë që konfirmoi të Hënën pasdite se ”ka ngritur grupin hetimor, i cili ka shkuar në spitalin e Krujës dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e shkakut”. Nga ana e Policisë janë njoftuar organet e shëndetit publik dhe të AKU-së, për të sqaruar këtë situatë, ndërsa priten analizat nga DSHP Krujë dhe Tiranë, shtuan të njëjtat burime.

 

Exit mobile version