VIDEO/ U la gjithmonë në tribunë nga Reja, sulmuesi që nuk debutoi kurrë me kuqezinjtë shënon gol dhe jep asistin e çuditshëm në Rumani

Florian Kamberi ishte një emër i cili pritej të bënte diferencën me fanellën e Kombëtares shqiptare, duke llogaritur telashet që kaloi FSHF për ta bindur të vishte fanellën kuqezi.

Por ish-sulmuesi i Zvicrës nuk ia doli kurrë të debutonte me ngjyrat kuqezi, pasi trajneri Edi Reja e la gjithmonë në tribunë duke mos ia dhënë atij këtë shans. Më pas, karriera e tij nuk shkoi siç pritej dhe Kamberi e pa veten shumë larg pretendimeve për një vend në Kombëtare.

Së fundmi, ai është transferuar në kampionatin rumun, ku vesh fanellën e Poli Iasi dhe sot, është bërë protagonist në fitoren 2-0 ndaj Universitatea Kraiova, me një gol dhe një asist.

Ishte pikërisht Kamberi ai i cili me një rrotullim mjaft të bukur e një gjuajtje të saktë, i dha avantazhin skuadrës së tij në pjesën e parë të ndeshjes, për atë që ishte goli i tij i parë i këtij sezoni. (SHIH VIDEON)

Më pas, mbi stadium filloi një rrebesh i dendur shiu që e ktheu fushën në një pishinë të mirëfilltë, me topin që ishte e vështirë të lëvizte. Por sfida vazhdoi dhe në minutën e 10-të shtesë të këtij takimi, Kamberi doli para portës e tentoi të gjuante, por dy herë radhazi sfera u bllokua nga uji. Megjithatë, ajo u kthye në një asist për Tailison, i cili më në fund ia doli që ta çonte në rrjetë. (SHIH VIDEON)

Exit mobile version