I vihet zjarri Arkivës së Agjencisë së Planifikimit të Territorit, digjen dokumentet

I vihet zjarri Arkivës së Agjencisë së Planifikimit të Territorit në Tiranë. Bëhet e ditur se, ngjarja ka ndodhur natën e së mërkurës, ku persona të panjohur i kanë vënë zjarrin zyrave në katin e katërt të Agjencisë së Planifikimit të Territorit duke zhdukur të gjithë dokumentacionin e arkivës. Policia fillimisht e ka mbajtur të fshehtë këtë ngjarje, por dje pasdite bëri një deklaratë duke pranuar djegien e arkivës. Agjencia e Planifikimit të Territorit ndodhet në një godinë me Agjencinë e Kthimit të Pronave, në katin e katërt të saj.
Bëhet e ditur se persona të panjohur hodhën një shishe benzine në katin e katërt të godinës dhe më pas i vunë flakën zyrave të arkivës. Ngjarja u regjistrua dje, rreth orës 03:05 minuta, kur zjarrfikësit u njoftuan për rastin. Menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes u nisën efektivët e zjarrfikësve që mundën të shuanin zjarrin.
Bëhet e ditur se, asgjësimi me zjarr i kësaj arkive ishte tentuar edhe 4 herë të tjera që të digjet, por nuk ia kishin dalë. Me herën e pestë mbrëmjen e djeshme ia kanë dalë. Burimet thanë se, policia kishte marrë edhe më parë informacione në lidhje me tentativat, por nuk kishte vepruar.
Policia njoftoi pasditen e djeshme se ka arrestuar dy rojet e godinës, Skënder Hysa, 62 vjeç dhe Sokol Hamitaj, 46 vjeç. Ende nuk është i qartë motivi i zjarrvënies, ndërsa drejtues të Agjencisë nuk pranuan të japin më tepër detaje mbi dëmet, duke u mjaftuar me faktin se është djegur vetëm një zyrë. “Më datë 14.09.2017, rreth orës 03:05, në rrugën ‘Muhamet Gjollesha’, në godinën e Agjencisë së Trajtimit të Pronave ka rënë zjarr në katin e katërt të saj, ku nuk ka patur dëme në njerëz. Për veprat penale ‘Shkatërrim prone me zjarr’ dhe ‘Shpërdorim detyre’, shtetasit e mëposhtëm me detyrë roje godine, u vendosën në prangat e policisë. Skënder Hysa, 62 vjeç banues në Tiranë dhe Sokol Hamitaj, 46 vjeç, banues në Tiranë”, shkruhet në njoftimin e policisë.

Artikulli paraprakGrabitësit e veshur si policë dhunojnë kryefamiljarin dhe grabisin 30 milionë lekë
Artikulli tjetërBE do të heqë kontrollet brenda Shengenit