Vijon ëndrra Champions e Leicesterit

Juventusi dhe Leicester City në çerekfinale të Champions League. Nëse për kampionët e Italisë kualifikimi konsiderohej formalitet, mrekullia e sezonit të kaluar në Premier League vazhdon të surprizojë në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube. Leicesteri fitoi 2-0 mes drithërimash ndaj Sevillas, në “King Power Stadium”, duke e bërë të pavlefshëm suksesin 2-1 të andaluzianëve në sfidën e parë.
Në minutën e 27-të Morgan, devijoi drejt rrjetës një top të krosuar nga Marhez, duke e ngritur peshë tifozërinë vendasve.
Albrighton në të 54-ën, përfitoi nga një devijim i mbrojtjes duke goditur saktë brenda zonës për golin e 2-0.
Në të 74-ën humbja e qetësisë i kushtoi shtrenjtë Samir Nasrisë, që u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë pas një zënke krejt të panevojshme me Vardy.
Edhe pse me inferioritet numerik, Sevilla arriti të fitonte një 11-metërsh në të 80-ën, por Nzozni u ndal nga Schmeichel.
Kjo pritje e danezit i dha kualifikimin historik Leicesterit, që koleksionoi fitoren e tretë radhazi që pas shkarkimit të Claudio Ranierit.
Juventusi pas suksesit 0-2 në Porto, fitoi edhe në Torino me rezultatin minimal 1-0. Ndërhyrja me duar e Pereiras në fund të pjesës së parë u konsiderua e qëllimshme nga kryesori, që i tregoi lojtarit të Portos të kuqen.
Paulo Dybala mori përsipër ekzekutimin e 11-metërshit, duke shënuar golin e vetëm të këtij takimi.

Artikulli paraprakKurtua akuzon Murinjon
Artikulli tjetërDortmund, Mario Gotze rikthehet sezonin tjetër