Një punëtor ka gjetur vdekjen pasi e ka zënë poshtë vinçi në një kantier ndërtimi të një pallati në Korçë. Punëtorët e tjerë kanë vënë duart në kokë të alarmuar nga ngjarja e rëndë.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme në hyrje të pazarit në qytetin e Korçës. Burime nga policia bëjnë me dije se punëtori ka ndërruar jetë, pas plagëve të marra. Bëhet e ditur se viktima është Elvis Josifi.
Sipas burimeve, Josifi mori plagë në kokë dhe për këtë arsye ndërroi jetë në vendngjarje. Zjarrfikësja dhe Policia hoqën vinçin nga trupi i Elvis Josifit, por tepër vonë pasi i riu kishte ndërruar jetë.
Informacion paraprak i policisë
Më datë 03.01.2020, rreth orës 12:17, jemi njoftuar se në lagjen nr. 9, pranë stacionit të autobuzëve, në një objekt në ndërtim, dyshohet se është aksidentuar gjatë punës, shtetasi E.J., rreth 35 vjeç, banues në Korçë, i cili për pasojë ka gjetur vdekjen.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes.