Një pasojë e paparashikuar e krizës së COVID-it në Gjermani ka qenë përhapja e shpejtë e teorisë konspirative QAnon. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Berlin, Jacob Russellnjofton se pas Shteteve të Bashkuara, Gjermania ka tani numrin e dytë më të madh të pasuesve të kësaj teorie konspirative, ndërkohë që një numër gjithnjë e më i madh shprehen skeptikë ndaj veprimeve të autoriteteve dhe synimit që kanë këto veprime:
Këtë verë Berlini dhe qytete të tjera gjermane u përfshinë nga protesta masive kundër masave të imponuara nga autoritetet për të luftuar pandeminë.
Pasues nga i gjithë spektri politik iu bashkuan protestave, por për herë të parë në rrugët e Gjermanisë kishte përkrahës të QAnon-it, një lëvizje me teori konspirative e ekstremit të djathtë që lindi në Shtetet e Bashkuara në 2017.
“Pjesa më e madhe e teorive të lëvizjes QAnon nuk janë të reja, por copëza të teorive që kanë ekzistuar prej kohësh. Por nëse i bashkon këto copëza zbulon teori ekzistuese. Të gjitha ato në thelb flasin për një elitë të ligë, pedofilë, pasues të djallit që sundojnë botën,” thotë Miro Dittrich i Fondacionit “Amadeu Antonio”.
Pasuesit e lëvizjes QAnon në Gjermani janë shtuar shumë në numër që nga fillimi i pandemisë.
“Para pandemisë, kanali më i madh në platformën Telegram kishte 20,000 llograri; tani ka 125,000 llogari. Në fillimet e pandemisë, numri i përdoruesve dyfishohej çdo javë,” thotë zoti Dittrich.
Paul Middelhof beson se masat e pashembullta kufizuese që ndërmorën autoritetet kundër pandemisë kanë bërë që disa njerëz t’i besojnë teoritë konspirative.
“Një pjesë e skajshme e shoqërisë gjermane nuk beson se masat ishin të drejta; ata mendojnë se ishin të tepruara dhe se nuk u ndërmorën thjesht që të vinin nën kontroll pandeminë, por për një arsye sekrete. Kjo arsye e fshehtë i lidh pasuesit e QAnon-it dhe i bashkon me protestat që u zhvilluan,” thotë autori Paul Middelhof.
Konsulenti financiar Oliver Ginsberg është anëtar i Nismës Qytetare, një grup aktivist që i sheh me dyshim masat qeveritare kundër COVID-it.
“Shumë njerëz i shohin me dyshim ato që na thotë qeveria dhe është e arsyeshme sepse na kanë gënjyer më parë disa herë. Prandaj njerëzit krijojnë dyshime dhe kërkojnë informacion nga burime të tjera si dhe shpjegime për ato që po ndodhin,” thotë zoti Ginsberg.
Megjithëse QAnon shihet si një teori periferike nga shumë vetë, numri i pasuesve të saj po shtohet gjë që po zgjon shqetësim.
“Këto komunitete që janë krijuar përmes internetit e kanë bërë shumë të lehtë radikalizimin e individëve. Nëse shohim anketat e zhvilluara në Gjermani vërejmë se rreth 30% e personave janë të prekshëm nga teoritë konspirative. Mendoj se në këto momente krize këto mite aktivizohen me teori konspirative dhe njerëzit rrëmbehen nga këto ethe,” thotë zoti Dittrich.
Tani që Gjermania po përfshihet nga një valë e dytë e përhapjes së virusit, zoti Dittrich dhe të tjerë po ndjekin me vëmendje shenja të teorive që ushqehen nga dyshimet dhe mungesa e besimit publik tek qeveria.