Visar Zhiti për bashkëvuajtësin e vrarë: Prapë u dhe borxh të gjithëve ca dritë, që s’e di si do ta kthejnë…

Bashkëvuajtës,
që guxove aq shumë, qëndrestar dhe i vrullshëm, me vështrimin rinor, ngulmues përtej vdekjes…
Ç’të them? Më ka lënë pa fjalë vrasja jote. Sa na ka tronditur!…

Ti që i mbijetove torturave, që dole gjallë nga hetuesitë e rënda, nga nëntoka në minierat e ferrit, nga revolta e të burgosurve, nga gjithë ai burg i tmerrshëm, nga kaosi i rënies së diktaturës, nga revanshet e saj, etj, etj, të vritesh tani, kur nuk besohej, në lirinë tënde, në një pasdite në park, në paqen dhe kohën që duhej të ishte e jotja, që erdhi dhe prej teje e bashkëvuajtësve të tu, prej martirizimit dhe dhembjes së përbashkët, prej ëndrrave të tua, prej guximit tënd, mjafton të lexojnë letrën e habitshme që i dërgove që nga burgu vejushës së diktatorit, ku akuzoje diktaturën, atë leter që duhet futur në të gjitha tekstet e shkollave bashkë me poezitë e të pushkatuarve, të Vilsonit e Gencit, Havziut e Trifonit, të At Prennushit e Baba Tomorit, etj, etj, kur të kishin borxh jo vetëm ato para, që thanë mediat kur dhanë lajmin e kobshëm, por të kishin borxh që të gjithë vuajtjen dhe rininë, ëndrrat, sakrificat, demokracinë e dëshiruar, tani, ah, dhe jetën…

Ishe me tët bir, po vraponit bashkë në park, gazmorë, përballë ju doli fatkobi… nga vinte, nga e shkuara, nga terret, të kishte zënë pusí…?!… Jetim mbeti yt bir, iu ndal vrapi atij dhe të ardhmes.

Jo, vogëlush i dashur yni, vrapo, vrapo deri atje ku do të donte babi yt, te paqja dhe e mira, te dija dhe gëzimet në atdheun e ëndëruar. Vrapo, vrapo, Baxhinoz i vogēl, bëhu burrë i madh! Babi yt është fitimtar dhe dëshmitar i fitores në të nesërnen tënde, ti ende shumë e më shumë…

Do të doja të flisja prapë, nuk mundem, s’mē lë tragjedia…
Miku ynë, Haxhi, shoh vështrimin tënd, që përshkon vrulltazi si shigjetë të përtejmen. Dhe e përshkëndit terrin… prapë u dhe borxh të gjithëve ca dritë, që s’e di si do ta kthejnë…

Artikulli paraprakKa ardhur koha të hapim një faqe të re për Shqipërinë!
Artikulli tjetërRama urdhëron policinë për terror tek Unaza e Re, banorët mbajnë rrugën të bllokuar prej 3 orësh