Vitamina C është një antioksidues i fuqishëm që mbron lëkurën nga dëmet mjedisore dhe parandalon plakjen e parakohshme të lëkurës si pasojë e rrezeve të diellit dhe ndotjes së ajrit. Ajo depërton thellë në sipërfaqen e lëkurës dhe vepron për neutralizimin e radikaleve të lira, që janë toksike për qelizat e lëkurës, si dhe stimulon përtëritjen qelizore dhe sintetizmin e kolagjenit. Përfitimet e dukshme janë lëkurë më e shndritshme, zbehje të rrudhave dhe vijave, rritja e elasticitetit. Vitamina C është një anti-inflamator i fuqishëm dhe mund të ndihmojë personat që vuajnë nga aknet dhe skuqja e fytyrës (rosacea). Jo të gjitha produktet kozmetike me vitaminën C janë të krijuara njësoj. Ekspertët rekomandojnë që të gjeni një serum të vitaminës C që ka përqendrim të lartë të këtij përbërësi aktiv dhe molekula të vogla që mund të depërtojnë thellë në lëkurë.
Kush duhet ta përdorë vitaminën C?
Mosha ideale do të ishte që në fillimet e të 20-ave, megjithatë të gjitha mosha mund të përfitojnë nga përdorimi i produkteve kozmetike që e përmbajnë këtë vitaminë. Mund ta përdorni në mëngjes pasi të pastroni fytyrën, pastaj vendosni një krem mbrojtës kundra diellit për lëkurën. Nëse doni të parandaloni shfaqjen e parakohshme të rrudhave apo shenjave të tjera në lëkurë, filloni të përdorni produkte të pasura me vitaminë C.