“Viti 2023 mund të quhet viti i amerikanëve,” u shpreh analisti Arjan Curi në “3D” me moderatorin Alban Dudushin.
Në studion e debateve politike u diskutua fati politik i ish-kryeministrit Sali Berisha, por edhe i pasardhësit të tij, Lulzim Bashës.
Sipas Curit, gurët e shahut po lëvizin në skakierën që ka organizuar vetë SHBA-ja me organizmat e saj të drejtësisë, si SPAK dhe GJKKO.
“Mund ta quajmë vitin e amerikanëve. Ata e morën seriozisht këtë vit realitetin politik shqiptar. E kanë bërë në Rumani, Kroaci, në Maqedoninë e Veriut, në Itali me Andreotin: ata kanë filluar të zëvendësojnë elitat politike në Shqipëri. SPAK-u po përdoret, GJKKO-ja po përdoret dhe ujërat po turbullohen. Një komunist i vjetër ka thënë që duhet të turbullosh që të sqarosh – të njëjtën gjë po bëjnë edhe amerikanët. SPAK-u është thjesht vegël, dora është e amerikanëve, e atyre amerikanëve që merren me ne,” tha z. Curi.
Dudushi: Te mënga e dorës së amerikanëve a është fshehur Lulzim Basha?
Curi: Besoj se po. Lulzim Basha është pjesë e lojës së tyre, d.m.th. do të përdoret që të zhvendosë Berishën bashkë me të vetët. Pse ikën Gazment Bardhi me të vetët? Sepse ata kishin informacion. Dikush i tha në mes të natës që ti nuk ke më vend aty dhe duhet të zhvendosesh. E ndjenë rrezikun dhe për të mbijetuar politikisht dolën nga Basha, po nuk shkuan te Berisha – kanë një lloj qëndrimi në me, [kushinetë]. Janari do të sjellë dinamika të reja: arrestimin në shtëpi të Sali Berishës, futja në skenë e Lulzim Bashës dhe negociata të tjera, qoftë nën sipërfaqe apo me përfshirjen e ambasadës amerikane, mund të sjellin zhvillime të reja.