Viti i betonit, në vitin 2017 dhënia e lejeve të ndërtimit u rrit me 88.3%

Numri i lejeve të ndërtimit të dhëna në vend gjatë vitit 2017 është rritur ndjeshëm, ku rekordin e mban Tirana, duke paralajmëruar për një valë të re ndërtimesh në afatin e mesëm. Sipas të dhënave të publikuara sot nga INSTAT, në total, në gjithë vendin në 2017-ën janë dhënë 819 leje ndërtimi, me një rritje prej 88.3% ose 384 leje më shumë. Përqendrimi më i madh i lejeve ka qenë në kryeqytet. Sipas INSTAT, në Tiranë u dhanë për gjithë vitin 2017 gjithsej 231 leje me një rritje prej 118% në krahasim me vitin e kaluar, ose 125 leje më shumë. Në rritje ka qenë dhe sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhënë në kryeqytet. Në vitin 2016 janë dhënë gjithsej 106 leje ndërtimi në Tiranë, për një sipërfaqe prej 209.3 mijë metra katrorë, ndërsa në 2017-ën numri i lejeve arriti në 231 për një sipërfaqe totale prej 522 mijë metra katror. Pra për sipërfaqe, rritja ishte 2.5 herë. Sipërfaqja e planifikuar për ndërtim në Tiranë, është sa 60% e totalit për gjithë Shqipërinë. Pas Tiranës, për leje ndërtimi kryeson Fieri, me 133 leje të dhëna për gjithë vitin dhe Durrësi me 105 leje. Qytetet ku nuk ka interes për ndërtime janë Kukësi dhe Dibra, ku numri i lejeve të dhëna ka qenë minimal.

Sipërfaqja për ndërtesa të reja në Shqipëri rritet me 128.5%

Sipas njoftimit zyrtar të INSTAT, në tremujorin e katërt 2017 janë miratuar gjithsej 211 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 147 leje të miratuara në tremujorin e katërt 2016, duke shënuar një rritje prej 43,5%. Referuar vitit 2017, janë miratuar gjithsej 819 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 455 leje të miratuara në vitin 2016, duke shënuar një rritje prej 80%. Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e katërt 2017, është rreth 197.130 m2, nga rreth 183.319 m miratuar në tremujorin e katërt 2016. Ky tregues, në tremujorin e katërt 2017, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, shënoi rritje me 7,5%. Gjatë vitit 2017, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është rreth 868.534 m2, nga rreth 380.141 m2 miratuar në vitin 2016, duke shënuar një rritje prej 128,5%. Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike, në tremujorin e katërt 2017, është 9.7 miliardë lekë, nga 8.8 miliardë lekë miratuar në tremujorin e katërt 2016. Ky tregues, në tremujorin e katërt 2017, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, u rrit me 9,5%. Referuar vitit 2017, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 49.1 miliardë lekë, nga 25.8 miliardë lekë miratuar gjatë vitit 2016, duke shënuar një rritje prej 90,3%.

Edhe Bashkitë e tjera të Ramës bum lejesh ndërtimi

E gjithë Shqipëria do të kthehet në kantier ndërtimi. Pothuajse në të gjitha qarqet rezulton një rritje e ndjeshme e lejeve të ndërtimit të dhënave në tremujorin e tretë të këtij viti, ndërsa në kryeqytet, rritja ka filluar që në tremujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e tretë të vitit janë dhënë gjithsej 310 leje ndërtimi, nga të cilat 65 në Tiranë. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë në gjithë Shqipërinë ishin dhënë vetëm 145 leje. Ndërsa për gjithë 9-mujorin janë dhënë gjithsej 608 leje, 27% e të cilave (167) kanë qenë në Tiranë. Në krahasim me 9-mujorin e vitit 2016, kur u dhanë gjithsej në gjithë vendin 308 leje, në 2017-ën, ato janë dyfishuar (rritje 97%). Në kryeqytet, për gjithë 9-mujorin janë dhënë 167 leje, me një rritje prej 157% në krahasim me 9 muajt e parë të 2016-ës, pra pothuajse me një trefishim, (102 leje më shumë). Pas Tiranës, në vlerë absolute numri më i lartë i rritjes së lejeve të ndërtimit është në Fier, ku janë dhënë 67 leje më shumë, e ndjekur nga Vlora me 48 leje më shumë dhe Durrësi me 38 leje më shumë. Në tremujorin e tretë 2017 ka një rritje të ndjeshme të lejeve të dhëna në qytetin e Korçës, i cili është kthyer në një destinacion të preferuar turistik, ku janë dhënë 57 leje, nga më pak se 6 leje që janë dhënë mesatarisht tremujorët e mëparshëm. Në të gjithë vendin, ka një orientim të lartë të likuiditeteve të lira në ekonomi në sektorin e ndërtimit, ku më e ndjeshme është në qytetet kryesore, sidomos në Tiranë, Fier, Vlorë, Durrës. Ekspertët kanë paralajmëruar se kjo ofertë që po krijohet me apartamente është më e lartë sesa kërkesa dhe tregu mund të rrezikojë në flluskë, teksa banesat rrezikojnë të mbeten pa shitur. Shqipëria vlerësohet të ketë pasur një bum në sektorin e ndërtimit për vitin 2016, duke qenë se lejet e dhëna panë rritjen më të madhe në rang europian. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i lejeve të ndërtimit pësoi një rritje mesatare në vendet e Bashkimit Europian më 2016 me 10.3 për qind, ndërsa në Shqipëri sipas të dhënave të INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit në vitin 2016, pati pothuajse një trefishim ose një rritje me 167 për qind. Shqipëria futet në vendet me sipërfaqe të vogël teksa projeksionet e popullisë janë me tkurrje në vitet në vijim.

 

 

 

Exit mobile version