VITI I RI ME LECKAT E TË VJETRIT

Nga Gjergj Hani

Kam një raport shumë të keq me festat e fundvitit. Që fëmijë nuk kuptoja se përse duhej festuar koha që ikte. Reflektimet filozofike fëmijnore nuk mund të kuptonin, se kjo festë ishte një lloj ezorcizmi ndaj vdekjes, e në kontrast me të, lindte nevoja e të shpresuarit, iluzioni i një fillimi të ri. Megjithatë merrja pjesë në eventin e vitit të ri, që në rrealitetin tim nuk ishte fishekzjarre e lodra, por vetëm dicka më shumë për të ngrënë, që në 364 ditë mungonin. Dëgjoja të mëdhejtë në tavolinë që në mesnatë uronin për një vit më të mirë, ndonëse ai vinte pashmangshmërisht identik me të vjetrin, e gjithnjë e më shumë më i keq se ai që shkonte. Nuk ishin vetëm fëmijët që shpresonin në dhuratat e vitit të ri. Shpresonin dhe të rriturit. Shpresonin se vdekja do të bënte punën e saj, e ndoshta atë vit do ta merrte diktatorin e njerëzia do të fitonte lirinë, do të ngopte barkun me bukë, do të vishte blue jeans e do të udhëtonte pa rrezikuar burgun. I riu vinte si i pari, më keq se i pari, sa njerëzit filluan të mos thoshin më; Mot më mirë, por Zot lëre me kaq.
Kujtime fëmijnore që ringjallen në cdo fund viti, sidomos me moshën që ikën, kohën që rrjedh e ndjesia që tashmë kam filluar ti ngjaj vitit te vjetër.

E megjithatë akoma i nënshtrohem forcës së zakonit, traditës së të bërit një farë bilançi të atij që iku, e pritshmërive për atë që erdhi. E thanë dhe e thonë edhe televizionet; Viti që vjen do të sjellë ndryshimin. Ndryshimin që njerëzit presin. Si dje, ashtu dhe sot, kujtimi i atj fëmije që isha, ndoshta kishte të drejtë që nuk kuptonte se cfarë na duhet të shpikim, për të qeshur me vehten, e për të vazhduar të shpresojmë.

Që kur kemi filluar të mos besojmë se jeta ka një kuptim, qëllim që kapërcen materjalen, pasurinë apo emrin, na duhet të gënjejmë më shumë, na duhet të sajojmë histori që i shesim të vërteta e që përpiqemi ti besojmë edhe vetë, parajsa të largëta që na ndihmojnë për të gëlltitur egzistencën e hidhur e për të harruar fijen e hollë mes gënjeshtrës e së vërtetës që gjithsesi është e destinuar të këputet. Nuk mund të rrinë dot bashkë.
E dinin edhe grekët e lashtë që sajuan mitologjinë e Moire-ve, të bijat e Gioves e Temi-t (Drejtësia), hyjneshat që vendosnin fatin e njerëzve. Ishin tre: njëra tirrte fijen e jetës; e dyta i jepte fatin e kohën; e treta këpuste fijen kur vinte ora. As Zotat vetë nuk mund të ndryshonin vendimet që ato merrnin.

Në fund të fundit, jeta jonë mund të shihet si një luftë e pa barabartë kundër fatit e rastësisë, simbole të të cilit janë fundi i një viti e lindja e atij pasardhës.
Cdo vit e njëjta histori. Duhet të shpresojmë, të sajojmë festa e të shtiremi të gëzuar për të harruar, për të imagjinuar fillime të reja. Duhet të ishte e lehtë, por nuk është, mohimi i rrealitetit kushton – për njeriun bashkëkohor shqiptar, që ka braktisur cdo besim tjetër, e ka përqafuar pa shpresë mitin e progresit, parasë, lluksit e aparences. Sipas kësaj filozofie, e nesërmja do të jetë më e mirë se e djeshmja. Pashmangshmërisht. Ndonëse është gjithmonë diku në të ardhmen që nuk egziston përtej premisave të së tashmes që rrefuzojmë të shohim. Ashtu si karrota në majën e shkopit të atij që i ka hipur gomarit, është gjithmonë përpara hundës së tij, e ai vrapon për ta kapur gjithmonë nesër, pa e arritur kurrë.

Reflektime të çuditëshme, ashkla mitologjie për të mos u përballur me rrealitetin, metafora, simbole të enigmës njerzore, pavetëdija e fatit, rrebelimi i shpirtit njerëzor ndaj rendit të gjërave, simbol të cilit janë festat e fundvitit, gëzimi i pakuptimtë që fshin mendimet, dollitë dhe alegria e imponuar, dhe shpresat e rinovuara, pavarësisht qartësisë që shpejt do të këthehen në hiç.

Lexuesi tashmë e ka humbur durimin: përse sorrollatet, përse eviton temën e titullit; pyet vehten? Viti i ri me leckat e të vjetrit. Ke të drejtë miku im, sorollatem rreth argumentit sepse kam frikë. Frikë të përballem e të shoh në sy humnerën ku po biem si pasojë e paqartësisë, pa vullnetit, apo më keq akoma, ndoshta si vullnet i lirë.
Thënë kjo, ç’rëndësi ka viti që erdhi? Me shumë probabilitet do të jetë i ngjashëm me pararendësin e tij, i ndjekur prej vitesh të tjerë me dritë-hije që shkojnë drejt errësirës. Prandaj hezitoj të them timen mbi të ardhmen e afërt. Shqiptarët do të eksperimentojnë ‘mrekullitë’ e tregut të lirë të energjisë. Rritjen e çmimit të karburantit me 60-70 %. Shumëkush këtë vit do ti duhet të zgjedhë nëse do të ngrohet apo do të hajë një kothere bukë.

C’rëndësi ka viti që erdhi? Njerëz tashmë idifirentë do të shohin pa interes konvulsionet skizofrenike të kastës politike që predikon si Shën Batisti në shkretëtirë duke përkëdhelur fasadën demokratike të ylbertë, ndërkohë që pas vellos luftarake the business, as usual, pazare si gjithmonë.

Nuk ishin sekondat e fundit të 31 Dhjetorit që do ti ndryshojnë gjërat, pas asaj mesnate që shkoi si shumë të tjera. Ajo që mund ti ndryshojë gjërat, është vetëdija që: Politika ishte protagoniste e historisë shqiptare për 45 vjet, e më pas antagoniste për 32 vjet, tashmë është shëndruar në një kurtizane të historisë, në një cocotte të mplakur e me truk të rëndë, në shërbim të një pushteti që tashmë nuk e do më.

Artikulli paraprakHeqja e vizave për Kosovën, REL: BE do të vëzhgojë me kujdes zbatimin e procesit
Artikulli tjetërEMRI/ Trafik ndërkombëtar droge dhe armësh përfshirë Shqipërinë, Mali i Zi akuzë për 11 persona, mes tyre 1 shqiptar