Viti që e kalbi Edi Ramën të gjallë dhe triumfi i Opozitës

Nga Red VARAKU

Beteja e Opozitës gjatë gjithë vitit 2019 është padyshim beteja më e rëndësishme opozitare në historinë shqiptare të pluralizmit.
Një aksion opozitar i përsosur, që u pasua nga dy vendimet më të forta të këtyre 30 vjetëve, që askush më parë nuk kishte guxuar t’i ndërmerrte, vendimin për djegjen e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve.

Gjatë këtij viti, nëpërmjet përgjimeve të Zërit të Amerikës dhe BILD, ajo tregoi kriminalizimin kapilar të qeverisë shqiptare, duke treguar Shqipërinë e vërtetë, larg manipulimit të propagandës, pa pudrën dhe makiazhin propagandistik.

Përgjimet tronditën thellë nga themelet të gjithë shoqërinë shqiptare duke shkaktuar një zemërim, i cili duket se nuk do të shuhet kurrë pa largimin e arkitektit të tij.

Ajo, jo vetëm i bëri një skaner qeverisjes së Ramës duke e zhveshur atë nga çdo lloj legjitimiteti, por ia doli të bindë si faktorin ndërkombëtar, ashtu edhe qytetarët shqiptarë, që kjo qeveri nuk është gjë tjetër veçse një bandë që vjedh zgjedhjet për të vjedhur shqiptarët.

Në një lëvizje brilante që i kapi të gjithë në befasi, dogji mandatet dhe udhëhoqi protestat më masive dhe më të gjata në historinë shqiptare. Ajo, jo vetëm ia doli të kryente një aksion jehona e të cilit, arriti të shkonte deri në Berlin dhe Washington, por ajo ia doli të qëndrojë e bashkuar, përkundër luftës për ta përçarë, shantazheve për ta nënshtruar dhe miliardave për ta blerë atë.

Beteja ka qenë e ashpër, sepse përballë saj ishte një kryeministër arrogant dhe të pabesë, që i kishte kapur të gjitha pushtetet. Një kryeministër që bën gjithçka për pushtet. Thyen çdo premtim, shkel çdo parim. Një njeri që në të gjithë historinë e tij politike,ka investuar gjithçka për të kontrolluar opozitën në mënyrë që ta kishte atë një lodër në duart e tij.
Një kryeministër, që kështu kishte qeverisur Tiranën, kështu po qeveris PS-në, kështu po qeveris edhe Shqipërinë. Një njeri që ka frikë nga kundërshtari, ka frikë nga konkurrenca, ka frikë normaliteti, ndaj ka tiparet e përkryera të frikacakut që sulmon këdo pabesisht.

Beteja e Opozitës ishte heroike, sepse përballë nuk kishte një parti politike, por profilet kriminale më të rrezikshme që ka parë historia e krimit në Shqipëri. Njerëz që kanë nën administrim miliona euro, qindra automjete të blinduara dhe mijëra ushtarë dhe vrasës me pagesë.

Ajo realizoi një betejë me klane kriminale, që përbëhen nga individë jo thjesht me ndikim lokal, por që kanë peshë kriminale në rang europian dhe botëror, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilët me bekimin politik që po i jep Rama, janë ishin kthyer në pole qëndrore të shoqërisë në çdo qytet, duke i kthyer kështu në njerëz tepër të rrezikshëm.

Por, megjithë këtë përbindësh mafioz dhe politik përballë, Opozita shqiptare e kreu me sukses detyrën e saj. Duke thënë të vërteta ulëritëse, ajo arriti ta delegjitimojë kryeministrin Rama dhe t’ia heqë vezullimin arritjeve të tij. Ajo arriti t’ia rrëzojë makiazhin propagandistik dhe tashmë të gjithë i dallojnë qartë vrragat e shëmtuara të korrupsionit mbi fytyrën e qeverisë shqiptare.

Aksioni i opozitës ka arritur suksesin më të madh të mundshëm të saj, pasi ka bërë aleatë në çështjen e opozitës shqiptare personalitetet më të larta të SHBA dhe Bashkimit Evropian, të cilët si në asnjë rast tjetër bllokuan menjëherë integrimin dhe i vendosën nëntë kushte Edi Ramës, si mjet presioni për largimin e tij.

Një sukses tjetër i rëndësishëm i betejës së opozitës është dekurajimi i frymës antiopozitare në vend, e cila kishte kapur nivele alarmante, ku kryeministri kishte shkuar deri aty sa e shantazhonte hapur Opozitën me arrestime dhe burg.
Prej ditës së bekuar të djegjes së mandateve, kjo betejë nxorri në pah fuqinë e shoqërisë shqiptare. Ajo tregoi se është vigjilente ndaj çdo elementi autoritarist dhe nuk fal askënd, kur vjen çështja tek demokracia dhe vlerat perëndimore, ndaj u derdh shesheve si asnjëherë më parë.

Por, arritja më e rëndësishme, është fakti që Opozita arriti ta kthejë betejën e saj në një betejë për vlerat europiane të Shqipërisë. Një betejë për Shqipërinë si gjithë Europa. Sot, ajo ka aleatë në betejën e saj për demokraci Washingtonin, Berlinin, Parisin, Londrën, Amsterdamin etj.

Lajthitjet e Ramës, se protestat e Opozitës duan të izolojnë Shqipërinë nga Europa tani duken thjesht qesharake. Beteja e opozitës ringjalli shpresën në Shqipëri dhe e ka kthyer çështjen e Opozitës në çështje të SHBA dhe Bashkimit Evropian.

Lëvizjet e fundit të ndërkombëtarëve e dëshmojnë këtë fakt. Emërimi i dy diplomatëve amerikanë-Metju Palmerit dhe Riçard Grenelit, ku i fundit i dërguar special i vetë presidentit Trump, tregon vendosmërinë amerikane për të risjellë Ballkanin Perëndimor në shinat e normalitetit. Ndërsa , bllokimi i integrimit dhe nëntë kushtet e Bundestagut janë prova që Perëndimi nuk e toleron më këtë kryeministër. Ato janë një kambanë alarmi për ata që nuk e pranojnë këtë realitet.

Gjunjëzimi i Ramës para presionit amerikan dhe europian me hir ose pa hir, dorëheqja e tij dhe ulja e tij në tryezë për të zgjidhur krizën me Opozitën pritet të ndodhë menjëherë pas miratimit të Reformës Zgjedhore dhe do të sjellë më pas zgjedhjet e parakohshme dhe hapjen e negociatave këtë pranverë.

Kjo do të jetë arritja e tretë e madhe drejt integrimit europian, që Partia Demokratike po u dhuron shqiptarëve, pas hyrjes në NATO dhe liberalizimit të vizave.

Do të jetë hapi më i rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë në Europë, do të jetë hapi që do të çojë në pranga zyrtarë dhe kriminelë, do të jetë kapërcimi i madh që do t’i japë fund tranzicionit të gjatë shqiptar dhe këtë tashmë nuk mund ta ndalë më askush.

Artikulli paraprakAktori i njohur mesazh Veliajt: Unë jam si macja përballë pianos kur…
Artikulli tjetër“Varet nga Messi, por zemra më thotë se Reali do ta fitojë La Ligën”