Teksa foli për vizitën që Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken pritet të mbajë në Tiranë në 15 shkurt, anëtari i kryesisë së PD-së, Azgan Haklaj u shpreh se sa herë që një sekretar shteti viziton Shqipërinë, ka ndryshime të ‘status-quo’-së, si në rastin e Hillary Klinton, ku një vit pas vizitës së saj Berisha humbi pushtetin.
“Sa herë kanë ardhur sekretarë shteti në Shqipëri, ka patur një përmbysje të madhe të status-quo-së. Erdhi Klinton, pas një viti Berisha shkoi në shtëpi”- tha Haklaj në emisionin “Studio Live” në Report TV.
Sipas tij, vizita e Blinken ka në qendër SPAK-un, pasi do të ketë një takim me kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanin.
“Blinken ka synim takimin me SPAK-un. Është rast unikal që një zyrtar i një shteti shkon në një shtet tjetër dhe takon institucionin e drejtësisë. Mbështetja e SPAK-ut është mbështetje për projektin e çlirimit ë demokracisë shqiptare nga kthetrat e trekëndëshit të Bermudës. Ndonëse kanë votuar 140 vetë për Reformën në Drejtësi, tashmë shohim drejtues të partive politike që nuk e mbështesin SPAK-un. PD është e vetmja që e mbështet”- shtoi anëtari i kryesisë së PD-së.