Vizita e Merkel si rikonfirmim i faktit që Ballkanin Perëndimor tashmë e udhëheq Bashkimi Europian

Nga Red VARAKU

Takimi i fundit Biden-Merkel duket se ka materializuar përfundimisht qëndrimin e ri perëndimor për rajonin e trazuar të Ballkanit Perëndimor.

Ky qëndrim duket se i ka dhënë fund “luftës së ftohtë” katër vjeçare midis SHBA -BE për dominimin e Ballkanit Perëndimor, ku me Presidentin Trump SHBA-të morën rol qëndror në administrimin e këtij rajoni, përmes emërimit të dy të dëguarve specialë , takimeve të niveleve shumë të larta, të cilat prodhuan dhe një marrëveshje kyç për zhvillimet në rajon midis Kosovës dhe Serbisë.

Pra, Presidenti Biden ka rrëzuar marrëveshjen e arritur në Washington nga Presidenti Trump ku SHBA-të kishin një rol dominant në rajon dhe ia ka dhënë ekskluzivitetin për admistrimin e rajonit Bashkimit Europian.

Në fakt, këtë e paralajmëroi deklarata e DASH, e cila rrëzoi në një farë mënyre marrëveshjen e minischengenit të arritur në Washington, kur cilësoi Tregun e Përbashkët Rajonal , e cila është pjesë integrale e Procesit të Berlinit, si esencial në zhvillimin e rajonit.

Por, e konfirmoi së fundmi një nga nxitësit kryesorë të kësaj marrëveshjeje , ish-i derguari special i Presidentit Trump për rajonin z.Richard Grennell i cili shkruan:

“Për fatin e keq të Ballkanit, administrata Biden zgjodhi pozicionin e kundërt. Presidenti Joe Biden vazhdon të injorojë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë e gjithë rajonin, dhe ka vendosur të mos përfshihet.

Ai nuk ka asnjë të dërguar presidencial për negociatat dhe nuk ka diskutime apo plane për rajonin në Shtëpinë e Bardhë. Nuk ka vizita të nivelit të lartë të planifikuara nga zyrtarët e SHBA dhe as data për vizita të liderëve ballkanikë në SHBA.

Megjithatë, ka një miratim të plotë nga Biden të procesit të Bashkimit Evropian. BE është tani në krye të strategjive të zhvillimit të Ballkanit dhe të bisedave për normalizim marrëdhëniesh”.

Thënë kjo, tani do të kemi një qasje të re të SHBA-BE për rajonin, e cila nga ky moment nuk do jetë një qasje e dyzuar e cila prodhoi dhe kaosin ku ndodhet tani rajoni, por do të jetë një qasje e unifikuar gjë që pritet ra rikthejë rajonin në shinat e dikurshme të stabilitetit dhe njëkohësisht të prodhojë një elitë të re drejtuese për vendet e këtij rajoni, që do të thotë rikthim tek qasja tradicionale perëndimore ndaj rajonit.

Nga njëra anë ky është një lajm shumë i mirë, sepse rifaktorizon pozicionin e kombit shqiptar si faktori kyç i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe rikthen Beogradin në korniza të një shteti përgjegjës kryesor për luftrat dhe krimet më ç’njerëzore në Ballkan.

Ky fakt gjithashtu korrigjon gabimet e deritanishme të administratës amerikane, ndër të cilat më destabilizuesi dhe më rrezikshmi është mbajtja me përdhunë në pushtet përkundër vullnetit të zgjedhësve e një kryeministri autokrat dhe të korruptuar si Edi Rama.

Por, nga ana tjetër mosprania e SHBA-ve në rajon është një lajm shumë i keq, sepse SHBA-të janë aleati ynë më i rëndësishëm strategjik, pa ndihmën dhe mbështetjen e të cilit ne as nuk do të egzistonim si komb dhe mungesa e tyre si faktor i padiskutueshëm garancie është një humbje e madhe për kombin tonë.

Në këtë kuptim, vizita e Kancelares Merkel javën që vjen në të gjithë Ballkanin Perëndimor është shumë kuptimplotë, sepse bëhet për të rikonfirmuar faktin që “Fuqia” që do të udhëheqë zhvillimet në këtë rajon është Bashkimi Europian.

Mirë apo keq, tashmë ky fakt është një realitet, i cili pritet të prodhojë qëndrime të rëndësishme dhe ngjarje të reja në të gjithë rajonin.

Exit mobile version