Në verë marrëdhëniet bilaterale mes Athinës dhe Moskës arritën në një pikë kritike: Greqia u ndaloi udhëtimin në vend dy diplomatëve rusë. Si kundërpërgjigje Moska dëboi dy diplomatë grekë. Sfondi kishte të bënte me zgjidhjen e grindjes për emrin e “Maqedonisë”. Ministria e Jashtme në Athinë në këtë kohë la të nënkuptohet, se diplomatët e dëbuar ishin përpjekur t’u jepnin ryshfet nëpunësve, për të penguar afrimin me vendin fqinjë. Si rrjedhojë Rusia anuloi një vizitë të planifikuar në Greqi të kreut të diplomacisë ruse Sergei Lavrov. Pak më vonë ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias iu desh të japë dorëheqjen. Këtë post e drejton tani vet kryeminsitri Cipras. Shkas ky për një riafrim me Kremlinin?
Politologu Thanos Veremis është skeptik: “Klima në marrëdhëniet Greqi-Rusi aktualisht është jo premtuese, sepse Athina vazhdon ta mbështesë marrëveshjen me Maqedoninë”, thotë për DW eksperti. Moska do ta mbajë larg influencës perëndimore fqinjin verior të Greqisë. E kështu do të mbetet qendrimi i saj – pavarësisht se kushe drejton Ministrinë e Jashtme në Athinë. Një riafrim me Kremlinin është i vështirë në këto rrethana, mendon Veremis. “Aktualisht Cipras i var shpresat tek karta e SHBA-së dhe nga perspektiva e tij kjo është logjike. Ai e sheh atje të ardhmen – për aq sa ai ka një të ardhme”, shpjegon më tej politologu.
Kthimi tek ekonomia e realizmit
Duket se kanë marrë fund edhe kohët, kur qeveria e majtë e Athinës në kohën e kulmit të krizës së borxheve orientohej nga Moska e kur kryesisht partnerët në BE e paralajmëronin atë që të ruante “besnikërinë ndaj linjës”. Gjatë vizitës së prezantimit në Moskë më 2015 Ciprasi gjithsesi e kuptoi, se Kremlini vërtetë fokusohej tek “marrëdhëniet e thelluara ekonomike”, por nuk i garantoi asnjë ndihmë financiare vendit mesdhetar të goditur nga kriza. “Pala greke nuk na kërkoi ndihmë ne”, deklaronte asokohe presidenti rus Vladimir Putin. Më shumë shefi i Kremlinit interesohej për bashkëpunimin në fushën e energjetikës.
Qysh atëherë Putin dhe Cipras diskutuan për pjesëmarrjen e Greqisë në linjën gazsjellëse Turkish Stream, që transporton gazin rus përmes Detit të Zi në Europë. Edhe sot kjo temë do të jetë në agjendën e bisedimeve. Por kjo temë nuk është pa telashe, edhe për shkak të çështjes së Qipros dhe raporteve me Turqinë.
Kriza e ortodoksisë
Pavarësisht të gjitha mosmarrëveshjeve, pritet që Cipras dhe pala ruse të nënshkruajnë disa marrëveshje bilaterale tregtie dhe kulturore. Kjo vizitë oforon edhe një mundësi për të shkëmbyer fjalë të mira dhe sipas traditës ortodokse për të theksuar vëllazërinë mes dy vendeve. Por edhe në këtë drejtim ka një ogur jo të mirë: Në valën e krizës në Ukrainë qeveria në Kiev insiston për pavarësinë e kishës ortodokse, që është nën varësinë e Rusisë. Në këtë drejtim ajo gjen mbështetjen e “patriarkut ekumenik të Kontandinopojës”- kreut të ortodoksisë me seli në Stamboll, i cili mban marrëdhënie të mira me Greqinë. Konfliki i përshkallëzuar së fundi për pavarësinë kishtare të Ukrainës i ka “përkeqësuar dukshëm raportet me Athinës dhe Moskës”, shkruan gazeta më e madhe në Athinë “Ta Nea”.
Sipas mendimit të politologut Veremis gjendja është më e ndërlikuar sa duket në vështrim të parë. Patriarkana ekumenike ka agjendën e saj dhe nuk është identike me atë të kishës së Greqisë apo të qeverisë në Athinë”, vëren ai. Nëse kjo temë do të diskutohet në Moskë, atëherë qeveria greke do të theksojë, se ajo nuk ka kompetencën që të ndërhyjë në çështjet e patriarkanës.