Na ishte njëherë një djalë, biri i një stërvitësi të thjeshtë kuajsh. Edhe pse i përkushtuar pas punës së tij, i ati fitonte aq sa për të mbajtur familjen.
Një ditë, në shkollë, fëmija mori një detyrë:
“Shkruani një ese se çfarë dëshironi të bëheni kur të rriteni.”
Atë natë, i rrëmbyer nga emocionet, ai shkroi një ese me shtatë faqe, duke përshkruar ëndrrën e tij: të kishte stalla ku do të rriste kuajt e vet.
Shkroi me qartësi e saktësi, duke zbrazur gjithë zemrën e tij në këtë ese. Madje shkoi aq larg sa të vizatonte dhe planet për tokën dhe shtëpinë që ëndërronte. Të nesërmen, ia dorëzoi esenë mësuesit dhe priti me padurim të merrte vlerësimin e tij.
Dy ditë më vonë, eseja iu kthye, së bashku me notën më të keqe të mundshme. Një shënim i madh i kuq spikaste në krye të faqes:
“Ejani të më takoni pas mësimit!”
Kur ra zilja, fëmija shkoi te mësuesi dhe pyeti me druajtje:
– “Pse më dhatë një vlerësim kaq të ulët?”
Mësuesi u përgjigj:
– Eseja juaj përshkruan një të ardhme krejtësisht të pamundur për një fëmijë si ti.
Pastaj shtoi:
– “Nëse e rishkruan esenë me një qëllim më realist, do ta rishqyrtoj notën tënde”.
Fëmija u kthye në shtëpi, i brengosur dhe vrau mendjen për një kohë të gjatë. Ai i kërkoi këshillë të atit, i cili iu përgjigj:
– “Dëgjo, bir, ky vendim është i yti, është një çështje e rëndësishme dhe unë nuk mund të zgjedh për ty.”
Pas një jave shestimi të hollësishëm, fëmija u kthye në shkollë dhe riparaqiti të njëjtën ese, pa ndryshuar asnjë rresht. Ai i bëri me dije mësuesit të tij:
– “Mbajeni për vete shënimin tuaj, unë do të mbaj ëndrrën time.”
Vitet kaluan. Një ditë, kur ishte në prag të pensionit, mësuesi shkoi me një klasë nxënësish për të vizituar një fermë të madhe. Kjo zonë shquhej për kuajt e saj të mrekullueshëm, ndër më të bukurit në vend.
Mësuesi mbeti i shtangur kur u prezantua me pronarin: ishte ish-nxënësi të cilit i kishte vënë notën më të keqe për ëndrrën e tij.
Para se të largohej, mësuesi i tha:
– “Kur isha mësuesi yt, shumë kohë më parë, isha si një hajdut ëndrrash. Për vite me radhë i dërrmova ëndrrat e nxënësve të mi. Për fat, ti ishe mjaft i guximshëm dhe këmbëngulës për të ndjekur të tuat.”
Asnjëherë mos lejoni që dikush t’ju presë krahët. Vetëm ju jeni në gjendje të ndërtoni ëndrrat tuaja!
(Përshtatur nga tregimi “The Thief of Dreams”, që i vishet Oscar Wilde)
Përktheu Agron Tufa