“Dami me Qndron ne kafe klandestine por ne kohe reale: Vodhem, por na kapen me presh ne dore! Si t’ja bejme??!!” ky është postimi I shkurtrë I ish-Kryeministrit Berisha, i cili shoqërohet me foton mes dy drejtuesve kryesorë të aferës 20 milionë të vjedhjes me firmën fantazmë amerikane në Unazën e Re.
Autoritetet shqiptare, përfshirë Autoritetin Rrugor Shqiptar, Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe kryeministrin Edi Rama, kanë pranuar tashmë se një nga tre tenderët e shumëdebatuar të Unazës së Madhe të Tiranës është fituar nga një kompani me dokumente që dyshohet se janë të falsifikuara.
Por ndërkohë, e njëjta kompani rezulton se ka fituar pak a shumë në të njëjtën kohë, një tender të dytë me vlerë 1.2 miliardë lekë nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, kompania publike që menaxhon linjat e tensionit të lartë në Shqipëri me administrator z.Klodian Gradeci dhe që mbikëqyret nga ministria e z. Gjiknuri.
Njoftimi nr. 44 i 5 nëntorit 2018 i Prokurimeve Publike përmban njëri pas tjetrit njoftimin e shpalljes fituese të kompanisë DH Albania, degë e kompanisë së huaj “Dunwel Haberman”, të një kontrate për ndërtimin e një linje të transmetimit të energjisë elektrike 220 volt që duhet të shërbejë për të lidhur Burrelin me Peshkopinë.
DH Albania u denoncua në media pak ditë më parë si një kompani që kishte falsifikuar dokumentacionin e nevojshëm për të fituar tenderin për ndërtimin e mbikalimit “Shqiponja” në Unazën e Re në Tiranë më 6 dhjetor.
Një ditë më vonë, Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi pezullimin e punimeve “deri në verifikimin e vërtetësisë së dokumenteve”, ndërsa Prokuroria njoftoi “nisjen e verifikimit”. Deri më tani autoritetet shqiptare, përfshirë prokurorinë, nuk kanë bërë të ditur nëse kanë arritur të idenfitikojnë personin apo personat e dyshuar për falsifikim.