Vjedhja 9 milionë dollarë, biznesmenët kishin regjistruar biznese fiktive

Biznesmenët e arrestuar për mashtrim me TVSH, kishin krijuar subjekte fantazëm dhe dorëzonin në zyrat tatimore fatura fiktive të TVSH-së, përmes të cilave përfitonin rimbursim. Përmes kësaj skeme mashtruese shtetit i është shkaktuar një dëm prej 9 milionë dollarë.
11 biznesmenët e akuzuar për mashtrim me TVSH kishin regjistruar subjekte tregtare në mënyrë fiktive, në fushën e ndërtimit. Hetimi i krimit ekonomik në policinë e kryeqytetit zbuloi se drejtuesit e firmave private nuk kishin asnjë lloj aktiviteti, edhe pse lëshonin fatura TVSH-je për hyrje-dalje. Këto fatura fiktive ata i dorëzonin tek Drejtoria e Tatimeve ku merrnin rimbursimin e TVSH-së prej 20% për çdo blerje që kishin kryer. Administratorët e këtyre bizneseve janë Dhimitraq Çelo, Shkëlqim Hasani, Bujar dhe Ruzhdi Murataj, Indrit Sulaj dhe Nevruz Lami. Me këtë skemë mashtrimi së bashku me 5 persona të tjerë të shpallur në kërkim, biznesmenët i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 9 milionë dollarësh.
Nga deklarimet e të arrestuarve del se, Nevruz Lami ka kontaktuar me 10 personat e tjerë që janë pjesë e këtij hetimi, duke i mashtruar se do t’u gjente punë. Ai u kishte marrë letër-njoftimet personave nën hetim, duke i dërguar tek noterja për të firmosur prokura dhe më pas bizneset janë regjistruar në QKR.
Në momentin e prangosjes, të arrestuarit u gjetën në punët e tyre respektive ku kanë qenë edhe administratorë fiktivë të firmave private. Urdhërat e arrestit për 6 biznesmenet u ekzekutuan në emër të operacionit “Situacioni”.
Organizatori kryesor i skemës së mashtrimit me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar ende nuk është vënë në pranga. Burime nga policia bëjnë me dije, se ai është mes 5 personave të shpallur në kërkim për dëmin prej 9 mln euro që i është shkaktuar Administratës Tatimore.
Mbrëmjen e së mërkurës 6 persona u arrestuan, pasi për ta Gjykata e Tiranës kishte caktuar masat e sigurisë “arrest me burg”. Pas një hetimi disa mujor të kryer nga Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe Prokuroria e Tiranës janë siguruar fakte dhe prova materiale se këta persona kanë regjistruar subjekte tregtare në mënyrë fiktive, pa asnjë lloj aktiviteti, me qëllim tërheqjen e blloqeve Tatimore të TVSH-së, duke lëshuar fatura fiktive për subjekte të treta.

 

Exit mobile version