Doganat rezultuan deficitare me më shumë se 36 milionë euro duke iu referuar planit të 11-mujorit. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, të ardhurat totale në janar-nëntor arritën në 134 miliardë lekë nga 139.9 që ishin të planifikuara.
Mosrealizimi ishte mbi 5 miliardë lekë ose 36 milionë euro, duke bërë që institucioni taksambledhës të mos realizonte me 4% planifikimin e periudhës. Muaji nëntor shënoi një deficit të lartë me gati 989 milionë lekë më pak se plani.
Nga 13.9 miliardë lekë të planifikuara u grumbulluan 12.91 miliardë lekë. Deficiti në muajin nëntor shënoi mbi 6.5 milionë euro. Kjo ishte vlera më e lartë e mosrealizimit mujor këtë vit, duke përjashtuar muajin shtator, ku të ardhurat e mungura në raport me planin ishin 1.3 miliardë lekë ose afërsisht 9 milionë euro më pak se plani.
Të ardhurat doganore po hasin në të dytin vit radhazi në vështirësi serioze. Ministria e Financave, më herët në një analizë të posaçme për këtë rënie bëri shkaktare për të ardhurat e munguara çmimet e ulëta të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare.
Gjatë periudhës 11-mujore ka një ecuri më pozitive të zhdoganimeve të naftës dhe cigareve në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave zyrtare për janar–nëntor u zhdoganuan 462 mijë tonë naftë nga 423 mijë tonë që ishin zhdoganuar në 11-mujorin e 2015-s ose me një rritje 9.2%. Zhdoganimet e cigareve u rritën me 17%, teksa mbeten në volume të njëjta zhdoganimet e birrës dhe kafesë.