Vjedhja e Bushit me tenderin 1.9 milionë euro

Bashkia e Krujës, nën drejtimin e Artur Bushit, ka vendosur të ndërtojë në Thumanë një godinë publike, ku do të mblidhen disa zyra shërbimesh për qytetarët, si pjesë e projektit të Rindërtimit, pas shkatërrimit që la pas tërmeti i 26 Nëntorit 2019.

Projekti, i cili quhet ‘Atrium Center Thumana’ parashikon ndërtimin e një godine një-katëshe, me disa zyra dhe me një sipërfaqe ndërtimi 2017 m2.

Për këtë ndërtim, Bashkia e Krujës ka parashikuar një fond limit prej 220 milionë lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.9 milionë euro.

Në fotot që shoqërojë projektin, godina duket moderne dhe ndoshta edhe e nevojshme për t’u ofruar qytetarëve të dëmtuar të Thumanës shërbime sa më cilësore.

Megjithatë, tenderi ka një problem tejet thelbësor.

Vlera e parashikuar për ndërtimin e tij është rreth trefish më e lartë se sa kostoja e ndërtimit, duke krijuar dyshime të qenësishme për mundësi abuzimi financiar.

Më konkretisht, në 15 Shkurt 2021, Bashkia e Krujës ka shpallur tenderin ‘Ndërtimi i ‘Atrium Center Thumana’, në kuadër të procesit të rindërtimit’.

Bashkia pret propozimet paraprake brenda datës 25 Shkurt dhe josh kompanitë me një fond limit të bollshëm, plot 220.2 milionë lekë të reja.

Sipas projektit të prezantuar në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, Bashkia e Krujës kërkon të ndërtojë godinën me vetëm një kat, e shtrirë në hapësirë 2070 metra katrorë.

Në bazë të disa llogarive të thjeshta, Artur Bushi i Krujës parashikon të shpenzojë 106 mijë lekë të reja pa TVSH për një metër katror të godinës, ose rreth 860 euro për metër katror sipërfaqe ndërtimi.

Kostoja e përllogaritur nga Bashkia e Krujës është gati tre herë më e lartë se sa kostoja zyrtare e ndërtimit në atë qytet.

Këshilli i Ministrave, në Udhëzimin nr. 3, datë 28 Dhjetor 2016 për ‘Miratimin e kostove të ndërtimit nga Enti Kombëtar i Banesave’, përcakton se kostoja e ndërtimit për Bashkinë e Krujës është 32.500 lekë të reja për metër katror.

Ky përcaktim është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga të gjithë institucionet publike që zhvillojnë tendera për ndërtime godinash publike.

Por, kryebashkiaku Bushi duket se e ka anashkaluar plotësisht Udhëzimin e Këshilli të Ministrave, duke përcaktuar se metri katror i ‘Atrium Center Thumana’ do të kushtojë 106 mijë lekë të reja, pra 300 përqind më shumë se sa kosto zyrtare.

Artikulli paraprakLot që të therin në zemër! Berisha publikon videon
Artikulli tjetërGazetari ngre hije dyshimi mbi “Prokurorin-hero”